Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Situatë e qetë në veri, qytetarët serbë thonë se nuk do t’i zëvendësojnë targat në RKS

Gazeta10
01 November 2022 - 19:21

Raporti: Gresa Bardhecaj/Kanal10

Policia e Kosovës ka filluar të shqiptojë fletëqortimet ndaj serbëve lokalë që qarkullojnë me targa ilegale serbe në territorin e Republikës së Kosovës. Në pikën kufitare në Jarinjë policia u ka dhënë fletëqortimet vozitësve të automjeteve që kanë hyrë në Kosovë, shkruan Kanal10.

Përveç mbulimit të simboleve shtetërore, serbët që kanë vetura me targa ilegale, u është shtuar edhe një procedurë tjetër për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

Pronarët e veturave “KM” në pikat kufitare iu tërhiqet vërejtja përmes një fletëqortimi nga Policia, në kuadër të zbatimit të shkallëzimit të vendimit për targat ilegale.

Megjithatë, pak vetura me targat “KM” kanë kaluar kufirin në Jarinje, derisa situata po monitorohej edhe nga EULEX-i.

Vozitësit e targave “KM” pas pajisjes me fletëqortime, kanë thënë se nuk do t’i zëvendësojnë targat në RKS.

Ndërkaq, patrulla të Policisë nuk janë parë të qarkullojnë në pjesën veriore, teksa lirshëm kanë lëvizur automjetet me targat ilegale.

Përmes një statusi në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, një ditë më parë u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të regjistrojnë automjetet e tyre me targa RKS.

Ndërkaq, ndaj këtij vendimi kanë vazhduar reagimet nga Serbia.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka deklaruar të martën se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në Kosovë.

Ai ka thënë se urdhër për këtë ka dhënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Gjithashtu, politikanë serbë nuk kanë përjashtuar mundësinë e rikthimit të barrikadave ë komunat veriore të Kosovës.

Ndryshe, faza e dytë e këtij vendimi, shqiptimi i gjobave prej 150 euro do të fillojë së zbatuari nga data 21 nëntor, nga 21 janari do të zbatohen targa provuese, kurse nga 21 prilli parashihet zbatim i tërësishëm i vendimit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
07 August 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.