
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka deklaruar se çështja e uzurpimit të hapësirave publike mbetet një ndër sfidat e vazhdueshme për komunën, duke theksuar se inspektorati do të vazhdojë lirimin e tyre sa herë që është e nevojshme.
Ai u bëri thirrje edhe pronarëve të bizneseve që të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë me institucionet komunale, raporton Gazeta10.
“Çështja e uzurpimit të hapësirave publike është gjithmonë temë aktuale dhe ne, herë pas here, merremi me të. Në momentin që i lirojmë këto hapësira, ato ngadalë uzurpohen sërish. Ne nuk do të rrimë duarkryq dhe përsëri do t’i lirojmë ato. I ftoj edhe pronarët e bizneseve që të bashkëpunojnë me ne, t’i respektojnë rregullat dhe të mos konfrontohen me inspektoratin”, tha Totaj./Gazeta10