Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Qëndrueshmëria financiare sfidë për mediat, Franca mbështet Kosovën në luftën kundër dezinformimit

Gazeta10
30 June 2026 - 14:30

Lufta kundër dezinformimit, bashkëpunimi ndërmjet mediave dhe sfidat me të cilat përballen mediat e pavarura në Kosovë u diskutuan në konferencën “Bashkëpunimi Medial në Kosovë: Dialogu, Bashkëpunimi dhe e Ardhmja e Mediave të Pavarura”, të martën në Prishtinë.

Aty u tha se qëndrueshmëria financiare, mbetet një nga sfidat kryesore në vend.

E mbështetje në luftën kundër dezinformimit, do të vazhdojë të japë Franca. Kështu deklaroi ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, derisa foli për iniciativën rajonale që synon ndërgjegjësimin për informacionin e rremë.

“Kosova ka pasur batica dhe zbatica. Në renditjen e Reporterëve pa Kufij, Kosova renditet e 84-ta në vitin 2026 pra është ngritur nga renditja e mehershme, ne 2019 ka qene e 75-ta, pra Kosova nuk eshte vend i keq krahasuar me shtetet e tjera. Franca është e kënaqur që t’i ofrojë mbështetje Kosovës dhe shteteve të tjera. Në Ballkan kemi një iniciativë regjionale të quajtur ‘Horizonti i Përbashkët’. Një nga projektet e saj është një fushatë që do të nisë nga Instituti Francez në Paris me sloganin ‘2 + 2 = 5’, si një mënyrë shumë e mirë për të ilustruar se çfarë do të thotë dezinformimi”, tha Guerot.

Ndërsa Xhemajl Avdyli nga Hibrid.info foli për punën njëvjeçare të projektit që u prezantua dhe nevojën për bashkëpunim ndërmjet komuniteteve përmes gazetarisë.

“Gjatë 12 muajve të fundit, Hibrid bashkë me organizatat e shoqërisë civile, media gazetar dhe dhe Instituti Francez, me një qëllim të përbashkët: forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve përmes gazetarisë. Për ta kuptuar se si u ndërtua ky bashkëpunim, le të kthehemi në fillim të këtij rrugëtimi. Gjithçka nisi nga një realitet që e njohim mirë. Mediat në gjuhën shqipe dhe ato në gjuhën serbe shpesh funksionojnë në hapësira të ndryshme informative. Ndërkohë sfidat janë të përbashkëta. Dezinformimi, gjuha e urrejtjes, rënia e besimit në informacion dhe transformimi digjital i prekin të gjithë. Përgjigjja që ofroi ky projekt është bashkëpunimi, dialogu, mësimi i gjuhëve dhe gazetaria e ndërtuar së bashku.”

Në një panel diskutimi me temën “E ardhmja e mediave të pavarura në Kosovë”, u diskutua për sfidat me të cilat përballen mediat në vend, si dezinformimi, rënia e besimit të publikut, presionet financiare dhe qëndrueshmëria e mediave.

“Të theksojmë natyrisht në atë që gazetarët kanë si shqetësim në punën e tyre dhe vjen me temën kryesore të diskutimit që është qëndrueshmëria financiare e mediave. Tani ne në aspekt të mediave që raportojnë në shqip e gjithmonë e themi, me shumë krenari besoj, që Kosova ka pluralitet të jashtëzakonshëm medial në kuptim të ofertave të asaj çfarë lexuesit, shikuesit mund të pranojnë. Në kuptimin që ka së paku nëntë televizione nacionale që kanë programacion të ngjashëm të përgjithshëm, ka më shumë se dhjetë portale të mëdha, por ka shumë e shumë natyrisht duke pasur parasysh që s’ka gazeta”, tha kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.

Ndërsa kryeredaktorja e portalit serb “KoSSev”, Tatjana Lazareviq, ngriti shqetësime për gjendjen e mediave të vogla dhe pavarësinë editoriale, duke thënë se presioni financiar dhe mungesa e mbështetjes po e vështirësojnë mbijetesën e tyre.

Ajo tha se pavarësia editoriale është vijë e kuqe për të.

“Në momentin kur ne nuk do të mund ta bëjmë punën tonë në mënyrë editoriale të pavarur, po e them në emrin tim personal, unë nuk do ta bëj më këtë punë. Në momentin kur kushdo të ndërhyjë në punën time editoriale. Tani po flas pikërisht për këto redaksi të vogla unë i quaj, nuk e di sa është term i përshtatshëm, po e përsëris, media guerile, kur flasim për redaksitë tona të vogla në gjuhën serbe që përpiqen të punojnë sa më pavarësisht që është e mundur”, tha ajo.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.