
Eksperti i energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka kritikuar mungesën e transparencës së institucioneve të Kosovës lidhur me projektin e gazit amerikan, duke thënë se publiku, komuniteti shkencor dhe madje edhe partitë politike nuk kanë informacione të mjaftueshme për përfitimet apo pasojat e mundshme të këtij projekti.
Në një lidhje direkte për emisionin “Gazeta” në Kanal10, Haxhimusa u shpreh se mungesa e transparencës nuk është vetëm ndaj mediave, por edhe ndaj ekspertëve dhe komunitetit akademik.
“Mungesa e transparencës nuk është vetëm në nivelin e hapjes publike ndaj mediave. Në shumë vende grupet teknike punuese diskutojnë dhe debatojnë para se të dalin me një rezultat, mirëpo në Kosovë kjo temë po mbahet pothuajse vetëm nga qeveria. Kjo na detyron të spekulojmë nëse duhet apo jo të jemi pjesë e projektit, pa pasur një bazë të mirëfilltë se ku synon të jetë Kosova pas tre, pesë apo dhjetë vjetësh. Kemi një terr të plotë transparence edhe ndaj njerëzve të shkencës dhe universiteteve”, deklaroi ai.
I pyetur se çfarë do të përfitonte Kosova nëse bëhet pjesë e projektit të gazit amerikan, Haxhimusa tha se aktualisht as qeveria dhe as opozita nuk kanë paraqitur një analizë të qartë.
“Edhe partitë opozitare, edhe qeveria në pushtet nuk e kanë të qartë se cilat do të jenë përfitimet apo humbjet nëse bëhemi ose jo pjesë e këtij projekti. Opozita vetëm del dhe flet në mënyrë sipërfaqësore, ndërsa të njëjtën gjë e bën edhe qeveria. Dallimi është se qeveria e ka mundësinë të marrë vendime”, u shpreh eksperti i energjisë.