Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mrekulli në Viti: Reagimi me kohë i mjekëve ia shpëton jetën 52 vjeçarit pas atakut kardiak

Gazeta10
30 June 2026 - 21:33

Reagimi i shpejtë dhe koordinimi i ekipeve mjekësore në Viti, Gjilan dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i kanë shpëtuar jetën një pacienti 52-vjeçar, i cili pësoi infarkt masiv të zemrës dhe më pas arrest kardiak.

Pas një ndërhyrjeje intensive, gjatë së cilës u kryen rreth 16 defibrilime, pacienti u stabilizua dhe vazhdoi trajtimin në Klinikën Intensive të Kardiologjisë.

52-vjeçari ishte paraqitur fillimisht në Urgjencën Primare të QKMF-së në Viti me dhimbje të forta në gjoks.

Menjëherë pas pranimit, ekipi mjekësor i realizoi elektrokardiogramën (EKG), e cila konfirmoi një infarkt masiv të miokardit. Pa humbur kohë, mjekët nisën terapinë emergjente dhe vendosën që pacienti të transferohej urgjentisht në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Vendimi për transportin u mor nga dr. Ardi Ademi, dr. Imer Ramadani dhe infermierja Almira Abazi, ndërsa transporti u realizua me autoambulancë nga shoferi Ademi.

Megjithatë, sapo pacienti mbërriti në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ai pësoi arrest kardiak. Ekipi mjekësor, i udhëhequr nga dr. Begush Canaj dhe i mbështetur nga stafi i infermierëve, reagoi menjëherë duke nisur procedurat e reanimimit.

Pavarësisht se fibrilacioni ventrikular u përsërit afërsisht çdo pesë minuta, ekipi nuk u dorëzua. Mjekët realizuan rreth 16 defibrilime, duke arritur ta rikthenin pacientin në ritëm sinusal dhe ta stabilizonin gjendjen e tij.

Pas stabilizimit, pacienti u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku iu nënshtrua koronarografisë. Gjatë procedurës u konstatua bllokim i arteries së majtë të zemrës, për çka iu vendos një stent.

Aktualisht, pacienti ka vazhduar trajtimin në Klinikën Intensive të Kardiologjisë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet stabile.

Ky rast është një shembull i rëndësisë së reagimit të shpejtë, profesionalizmit dhe bashkëpunimit mes institucioneve shëndetësore, duke dëshmuar se ndërhyrja në kohë mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.