Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

‘‘Draftet s’janë vendime’’, Reuters: Samiti i NATO-s në Shqipëri në pikëpyetje për shkak të shpenzimeve të mbrojtjes

Gazeta10
01 July 2026 - 7:51

Ndërsa liderët e NATO-s po përgatiten për samitin që do të mbahet javën e ardhshme në Turqi, Reutersraporton se planet për organizimin e samitit të aleancës në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në pikëpyetje për shkak të rezistencës nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësisë së disa vendeve anëtare të NATO-s me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtje.

Kështu kanë bërë të ditur për Reuters një diplomat i NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të njohur me diskutimet.

Sipas tyre, draft-deklarata për samitin e javës së ardhshme në Ankara aktualisht nuk përmend mbajtjen e samitit të ardhshëm në Shqipëri, pavarësisht se në një deklaratë të mëhershme ishte parashikuar që ai të zhvillohej atje.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur vendet evropiane të NATO-s po përpiqen t’i tregojnë presidentit amerikan Donald Trump, gjatë samitit në Ankara, se kanë bërë përparim në përmbushjen e zotimeve për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të shmangin përplasjet publike me të.

Paqartësia për fatin e samitit të NATO-s në Shqipëri vjen gjithashtu pasi Reuters raportoi në prill se aleanca po shqyrton mundësinë e heqjes dorë nga praktika e organizimit të samiteve vjetore, një veprim që do të shmangte një përballje potencialisht të tensionuar me Trump më vonë gjatë mandatit të tij.

Njëri nga burimet tha se niveli i shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtje është i tillë që, nëse NATO mban samitin në vend në vitin 2027, Trump mund të reagojë negativisht, duke shkaktuar tituj kritikë në media.

Një diplomat evropian tha se versioni më i fundit i draftit thotë vetëm se liderët “presin me padurim takimin e tyre të ardhshëm”, pa specifikuar kohën apo vendin.

“Draftet janë vetëm drafte, jo vendime”, tha një zëdhënës i qeverisë shqiptare për Reuters, kur u pyet për mungesën e përmendjes së Shqipërisë në draftin që ende është në negociim dhe mund të ndryshojë.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë, ndërsa një zyrtar i NATO-s tha se nuk kishte koment të menjëhershëm.

Vëmendja te shpenzimet për mbrojtje

Vitet e fundit, deklaratat zyrtare të samiteve të NATO-s zakonisht kanë përmendur qartë vendin ku do të zhvillohej samiti pasues.

Në samitin e mbajtur në Hagë vitin e kaluar, liderët deklaruan se “presin me padurim takimin e ardhshëm në Turqi në vitin 2026, i cili do të pasohet nga një takim në Shqipëri”.

Në të njëjtin samit, liderët e NATO-s iu përgjigjën kërkesave të Trump duke u zotuar se brenda dhjetë vjetësh do të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje dhe fusha të lidhura me të.

Shtetet u angazhuan të ndajnë 3.5% të PBB-së për mbrojtjen bazë – si trupat dhe armatimi – dhe 1.5% për masa të tjera që lidhen me mbrojtjen, si siguria kibernetike.

Megjithëse shumë vende të NATO-s kanë rritur buxhetet e mbrojtjes muajt e fundit, disa ende kanë vështirësi të arrijnë objektivin e mëparshëm të aleancës prej 2% të PBB-së.

“Kur shikoni objektivin prej 2%, pothuajse të gjithë aleatët e kanë arritur”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë për media më herët këtë muaj.

“Vitin e kaluar Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia nuk e kishin arritur, por janë zotuar qartë se këtë vit do të kalojnë mbi 2%. Në pamjen e përgjithshme, këto janë vetëm pak vende”, shtoi ai.

Shqipëria premton rritje të shpenzimeve

Qeveria shqiptare tha në një deklaratë për Reuters se po finalizon masat fiskale të nevojshme për ta harmonizuar buxhetin e mbrojtjes për vitin 2026 me objektivat e dakorduara nga aleatët e NATO-s në samitin e Hagës.

“Sapo këto masa të miratohen në ditët në vijim, shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe fushat e lidhura me të në vitin 2026 do të arrijnë në 2.6% të PBB-së, në përputhje me metodologjinë e NATO-s. Prej tyre, 2.2% do të jenë shpenzime bazë për mbrojtjen, ndërsa 0.4% do të jenë shpenzime të tjera që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë”, thuhet në deklaratë.

Një diplomat evropian tha se Shqipëria mund të jetë ende organizatore e samitit.

“Ata po i rrisin shpenzimet, do të shohim se ku do të përfundojë kjo. Unë ende besoj se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri”, tha ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.