
Deputeti i rizgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se protestat që po mbahen në Shqipëri janë çështje e brendshme e shtetit shqiptar, duke kërkuar që as partitë politike dhe as politikanët nga Kosova të mos përfshihen në to.
I pyetur lidhur me pretendimet për përfshirjen e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje në protestat në Shqipëri, ndonëse një gjë e tillë është mohuar nga kjo parti, Tahiri për Ekonomia Online, tha se demonstrimi është një e drejtë demokratike, por theksoi se Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e zhvillimeve të brendshme politike në shtetin shqiptar.
“Ajo që dua të them sa i përket protestave në Republikën e Shqipërisë është bukur e thjeshtë. Protestimi dhe demonstrimi është mjet demokratik dhe u takon institucioneve të shtetit shqiptar ta trajtojnë këtë çështje, dhe vetë atyre që i kanë kërkesat dhe shtetit shqiptar për me e trajtu.
Pra, kjo nuk është çështje e brendshme e jona. Kërkesa ime është që askush prej nesh të mos ta marrë guximin as të involvohet, as të protestojë, as të vendosë kauza politike në Shqipëri, për shkak se kjo nuk e ndihmon as Shqipërinë, nuk e ndihmon as kauzën e protestuesve, nuk e ndihmon as Kosovën, mirëpo vetëm sa e vendos në konflikt të hapur shtetin shqiptar me Kosovën”, deklaroi Tahiri.
Ai tha se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar të rrugëtimit të saj evropian dhe se çdo përfshirje nga jashtë mund të dëmtojë këtë proces.