
Deputetja e rizgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas caktimit të 16 shtatorit 2026 si datë për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çitaku e ka cilësuar si të pajustifikueshme zvarritjen e procesit gjyqësor, duke thënë se vonesat nuk kanë më lidhje me drejtësinë.
“16 shtator 2026, ora 10:00. Edhe dita e shpalljes së aktgjykimit po shtyhet sërish. Këto vonesa të turpshme nuk kanë më asnjë lidhje me drejtësinë. Drejtësia e vonuar nuk është drejtësi”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka theksuar se shtyrjet mund ta vonojnë vendimin, por, sipas saj, nuk mund ta ndryshojnë të vërtetën.
“Vonesat mund ta shtyjnë aktgjykimin, por nuk mund ta ndryshojnë të vërtetën”, është shprehur ajo.
Çitaku ka thënë se beson në një drejtësi të paanshme dhe jo politike, duke shprehur pritjen që vendimi të jetë në favor të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Ne besojmë në drejtësi. Jo në drejtësi politike, por në drejtësi të vërtetë. Drejtësi për çlirimtarët. Drejtësi për historinë. Drejtësi për të ardhmen. Besojmë se, më në fund, do të flasë drejtësia. Për Kosovën. Për UÇK-në”, ka shtuar Çitaku.