
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 12 vite burgim Ekrem Bajroviqin, i akuzuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.
Ekrem Bajroviq nga Prokuroria Speciale po akuzohet për “krime lufte ndaj popullatës civile” në Istog dhe në fshatrat përreth në vitet 1998-1999.
Ky është vendimi i rigjykimit, pasi rasti ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme.
Fillimisht, më 19 korrik 2024, Gjykata Themelore e kishte shpallur fajtor Bajroviqin dhe e kishte dënuar me 12 vjet burgim. Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit më 21 maj 2025, e cila kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes, duke vlerësuar se shkalla e parë kishte vendosur drejt.
Megjithatë, Gjykata Supreme, me vendimin e përpiluar më 4 dhjetor 2025, kishte miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja e Bajroviqit, avokatët Ljubomir Pantoviq dhe Milosh Deleviq, dhe e kishte kthyer çështjen në rigjykim.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryesuesi i trupit gjykues Avni Syla.
“Sot me datë 3.7.2026, në emër të popullit shpallim këtë aktgjykim. I akuzuari Ekrem Bajroviq, të dhënat personale si në shkresat e lëndës, gjykata e shpall fajtor për veprën penale krim i luftës ndaj popullatës civile, bashkëkryerje nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Andaj gjykata, u përmbahet neneve 4, 5, 6, 7, 8, 11, 12, 22, 25, 33, 34, 35, 38, 41, 51 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, dhe nenin 368, 366 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, e gjykon të akuzuarin me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 viteve. Në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 19.10.2022 e tutje, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me aktgjykim. Të akuzuarit Ekrem Bajroviq i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Detyrohet i akuzuari që t’i paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 300 euro, si dhe në emër të kompensimit për viktimat e krimit në vlerë prej 100 euro. Të gjitha këto në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest të rregullt civil. Palët e pakënaqura me këtë aktgjykim kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të kopjes së aktgjykimit në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate. Arsyet më të zgjeruara për këtë çështje do t’i japim në aktgjykimin e përpiluar në shkrim, të cilin aktgjykim do ta pranoni në afatin ligjor”, tha Syla./eo