Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Personi që u vra në Ferizaj ditë më parë, kishte rast aktiv për dhunim ndaj një të miture

Gazeta10
03 July 2026 - 12:56

F.H., i cili mbeti i vrarë më 28 qershor në Ferizaj, rezulton se kishte në Gjykatën Themelore në Ferizaj një rast aktiv penal ku akuzohej për dhunim në bashkëkryerje ndaj një të miture.

A.R dyshohet se më 28 qershor 2026, në Ferizaj, në objektin banesor-pronë e babait të saj M.B., ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H, shkruan “Betimi për Drejtësi“.

Ndërkaq, rasti aktiv i F.H. është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” nga Gjykata Themelore në Ferizaj, duke bërë të ditur se ndaj tij figuron ky rast aktiv në evidencën penale.

Fillimisht, për këtë rast F.H. ishte liruar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për veprën që i ngarkohej, por Prokurori i Shtetit kishte ankimuar këtë vendim në shkallën e dytë.

“Sipas kronologjisë së këtij rasti në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ndaj personit F.H. më 3 prill 2023, konform nenit 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KPRK-së, është nxjerrë aktgjykim me të cilin është liruar nga akuza për veprën penale në bashkëkryerje dhunimi nga neni 227, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj u anulua dhe lënda është rikthyer në rigjykim dhe rivendosje.

“Lidhur me këtë, Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, me të cilën sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur dhe lënda është kthyer në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet tutje në përgjigje.

Prokurori i rastit Agim Kuka nuk ka dhënë detaje për këtë çështje duke marrë parasysh që viktima është e mitur, por ka thënë se seanca e radhës për këtë rast është planifikuar të mbahet më 15 korrik.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar informacione edhe nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj nëse viktima F.H. dhe e dyshuara në rastin e vrasjes së tij A.R kanë ndonjë rast të mëparshëm të paraqitur në këtë institucion.

Sipas përgjigjes së tyre, nuk figuron asnjë rast i paraqitur ndaj njëri-tjetrit.

“Në lidhje me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se sipas të dhënave zyrtare të policisë nuk figuron të jetë raportuar asnjë rast i paraqitur nga A.R. ndaj F.H., e as nga F.H. ndaj A.R.”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj.

Përgjigje të njëjtë për “Betimi për Drejtësi” kanë dhënë edhe nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

“Pas verifikimit dhe pas pranimit të të dhënave nga shkrimorja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ju njoftojmë se nuk figuron ndonjë rast i paraqitur nga personi A.R. ndaj F.H., si dhe nga F.H. ndaj A.R.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Arjeta Roshajt, mbi dyshimet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës për caktimin e paraburgimit, e dyshuara para hetuesve policorë ka deklaruar se tani i ndjeri paraprakisht kishte pranuar kërcënime përmes rrjetit social Snapchat, i cili ndër të tjera i kishte thënë: “më prit se tani do të vij të vras ty edhe familjen tënde”, dhe se kur kishte arritur në banesë e kishte rrahur.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.