
Ish-deputeti i LDK, Adem Salihaj ka deklaruar se brenda LDK-së ka ekzistuar prej vitesh një fraksion i ndikuar nga PDK-ja, duke e fajësuar këtë ndikim për përçarjet dhe largimin e figurave që ai i cilësoi si kombëtare.
Sipas Salihajt, ndikimi i jashtëm ka ndikuar në zhvillimet e brendshme të partisë dhe, sipas tij vazhdon të jetë i pranishëm edhe sot, raporton Gazeta10.
“Në LDK ka pasur një fraksion të vazhdueshëm të ndikuar nga PDK-ja, kjo ka ndikuar që të eliminohen figurat e pastra kombëtare që kanë qenë në strukturat e LDK-së, dhe ky ndikim i jashtëm gjithmonë ka shkaktuar përçarje e ndarje në këtë parti. Unë mendoj se edhe sot vazhdon ndikimi i njëjtë nga jashtë”, është shprehur Salihaj.
Ai nuk përmendi emra konkretë, por theksoi se ndikimet e jashtme, sipas tij, kanë dëmtuar unitetin e LDK-së dhe kanë ndikuar në vendimmarrjen brenda partisë./Gazeta10