
Mbrëmë rreth orës 23:00, Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Prizren ka pranuar informacione për përdorim të armës së zjarrit në një gazmend familjar në rrugën “Reshat Qoqaj” në Prizren.
“Njësitet policore kanë reaguar menjëherë, duke intervenuar në vendngjarje, identifikuar lokacionet dhe personin e dyshuar. I dyshuari ka pranuar se ka shtënë me armë dhe ka deklaruar se kanë pasur një gazmend familjar; i njëjti ka dorëzuar armën, një pistoletë”, konfirmon policia.
“Në vendngjarje, përveç armës janë sekuestruar edhe dy gëzhoja si prova materiale. Pas intervistimit të të dyshuarit, në prezencë të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprat përkatëse, përfshirë “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Policia e Kosovës apelon qytetarët që të shmangin përdorimin e armëve në festa apo gazmende familjare, duke respektuar ligjin dhe duke kontribuar në sigurinë e përgjithshme”, apelon policia.