Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Maqedonci: Deri në vitin 2029, Ushtria e Kosovës do të jetë e gatshme për mbrojtjen e territorit

Gazeta10
06 July 2026 - 12:00

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Ushtria e Kosovës pritet të arrijë gatishmërinë e plotë për mbrojtjen e territorit deri në vitin 2029, duke theksuar se vendi ndodhet në fazën përmbyllëse të procesit të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në një intervistë për Euronews Albania, Maqedonci tha se plani dhjetëvjeçar i tranzicionit, i miratuar nga Kuvendi më 14 dhjetor 2018, pritet të përfundojë në vitin 2028.

“Është aprovuar më 14 dhjetor 2018 nga Kuvendi. Gjatë kësaj faze kemi pasur një plan tranzicioni dhe tash jemi në përfundim të tij, i cili parashihet të mbyllet në vitin 2028. Investimet që kemi pasur kanë bërë që të tejkalojmë shumë nga objektivat, si në aspektin e pajisjeve, jo vetëm në sasi por edhe në llojet e armatimit, pasi kemi qenë të kufizuar në atë plan”, ka thënë Maqedonci.

Ai theksoi se investimet e realizuara gjatë viteve të fundit kanë bërë që të tejkalohen objektivat e planifikuara, si për nga sasia e pajisjeve ushtarake, ashtu edhe për nga llojet e armatimit.

Sipas tij, Kosova tashmë ndodhet në fazën përmbyllëse të ndërtimit të kapaciteteve operacionale, ndërsa synimi është që në vitin 2029 Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë plotësisht e gatshme për mbrojtjen e territorit, mbështetjen e autoriteteve civile dhe pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare.

“Jemi në fund të procesit për arritjen e kapaciteteve operacionale. Ne planifikojmë që në vitin 2029 të kemi një forcë të gatshme për mbrojtjen e territorit, për mbështetjen e autoriteteve civile dhe për pjesëmarrje në misione ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.