
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeshefit ekzekutiv të KRM “Pastrimi”, Petrit Reçica, duke thënë se dështimi i kësaj ndërmarrjeje nuk ka ndikuar te qytetarët e Obiliqit.
Thaçi deklaroi se, sipas tij, që nga 1 qershori dështimi i KRM “Pastrimi” nuk e ka prekur asnjë qytetar të Obiliqit, ndërsa akuzoi Reçicën se po përpiqet ta fajësojë Komunën për një vendim që, sipas tij, është marrë në mënyrë të njëanshme.
“Le ta ketë të qartë: Obiliqi nuk do të mbahet peng nga një menaxhim i dështuar. Qytetarët tanë nuk do të paguajnë çmimin e paaftësisë së askujt”, ka shkruar Thaçi.
Ai shtoi se, kur mungojnë rezultatet, fillojnë arsyetimet dhe kërkohen fajtorë diku tjetër, duke vlerësuar se kjo është ajo që po ndodh aktualisht me menaxhmentin e KRM “Pastrimi”.
Sipas Thaçit, në vend që të marrë përgjegjësi për gjendjen e ndërmarrjes, kryeshefi ekzekutiv ka zgjedhur, siç u shpreh ai, “rrugën e viktimizimit dhe të akuzave politike”, të cilat, sipas tij, nuk e zgjidhin problemin.
“Komuna e Obiliqit nuk do të tërhiqet përballë presioneve, shantazheve politike apo tentativave për ta zhvendosur përgjegjësinë. Ne do ta mbrojmë interesin e qytetarëve me çdo mjet ligjor dhe institucional”, ka theksuar Thaçi.
Reagimi i kryetarit të Obiliqit vjen pasi Petrit Reçica, në një lidhje direkte në emisionin “Adresa e Ankesave” në Kanal 10, kritikoi qasjen e disa komunave ndaj menaxhimit të mbeturinave. Duke folur për Obiliqin, ai tha se komuna ka zgjedhur një model tjetër të organizimit të shërbimit, duke investuar në një ndërmarrje lokale dhe duke angazhuar punëtorët e ish-njësisë së “Pastrimit”, ndërsa ngriti pikëpyetje për bazën ligjore të funksionimit të këtij modeli./Gazeta10