Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Tenderi mbi 2 milionësh për barna në QKUK – a do të marrë fund kriza?

Gazeta10
06 July 2026 - 10:10

Pas muajsh ankesash për mungesë të barnave dhe materialeve bazike mjekësore në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka përmbyllur një procedurë të rëndësishme të prokurimit për furnizim me barna nga lista esenciale, me vlerë totale prej mbi 2 milionë euro.

Mungesa e stendave, penjve kirurgjikë dhe materialeve të tjera të domosdoshme kishte detyruar në shumë raste pacientët që t’i siguronin vetë barnat dhe pajisjet mjekësore, duke ngritur shqetësime për funksionimin e sistemit publik shëndetësor.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, SHSKUK ka shpallur operatorët ekonomikë fitues për katër lote të tenderit, raporton Gazeta10.

Kontrata me vlerën më të lartë i është dhënë kompanisë Meditech, e cila ka fituar Lotin 1 me vlerë prej 1,323,668.61 euro. Sipas dokumenteve të prokurimit, për këtë lot janë pranuar katër oferta, ndërsa kontrata është planifikuar të nënshkruhet më 7 korrik 2026 dhe do të ketë kohëzgjatje prej 24 muajsh.

E njëjta kompani ka fituar edhe Lotin 8, me vlerë 702,221.52 euro, gjithashtu pas një gare me katër operatorë ekonomikë.

Ndërkohë, Medical Group është shpallur fituese e Lotit 4, me vlerë prej 92,123.46 euro.

Kurse, Liri-Med është shpallur fituese e Lotit 9, me vlerë prej 1,666 euro, një kontratë me kohëzgjatje 24-mujore.

Në total, vetëm kontratat e publikuara për këto lote arrijnë vlerën prej rreth 2 milionë e 120 mijë euro.

Dokumentet e publikuara në KRPP tregojnë se në të gjitha lotet e përmendura kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.
Ky furnizim pritet të ndikojë në përmirësimin e stokut të barnave esenciale në institucionet publike shëndetësore, në një kohë kur pacientët kanë raportuar vazhdimisht mungesa të barnave dhe materialeve bazike, duke detyruar qytetarët të përballojnë shpenzime shtesë nga xhepi i tyre.

Mbetet të shihet nëse zbatimi i këtyre kontratave do të eliminojë mungesat që kanë shoqëruar për një periudhë të gjatë klinikat e QKUK-së dhe spitalet nën menaxhimin e SHSKUK-së. /GAZETA10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.