Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Avokati i Popullit nis hetime për pretendimet e keqtrajtimit të të arrestuarve gjatë Vidovdanit në Gazimestan

Gazeta10
07 July 2026 - 11:40

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetime lidhur me pretendimet për keqtrajtim të personave të arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë manifestimit të Vidovdanit në Gazimestan, më 28 qershor 2026.

Sipas një komunikate për media, hetimet janë iniciuar bazuar në ankesat e pranuara nga qytetarët, informacionet e dërguara nga organizata të ndryshme joqeveritare, si dhe të dhënat e publikuara në media.

Avokati i Popullit njofton se disa nga personat e arrestuar kanë pretenduar se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacionin policor, si dhe se u janë cenuar të drejta të garantuara me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Sipas Institucionit të Avokatit të Popullit, hetimet kanë për qëllim verifikimin e fakteve dhe rrethanave të rastit, si dhe vlerësimin nëse gjatë trajtimit të personave të arrestuar janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Në komunikatë ritheksohet se çdo person i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet dhe në përputhje me parimin e ndalimit absolut të keqtrajtimit fizik, trajtimit ose ndëshkimit çnjerëzor apo poshtërues.

“Çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës ose për shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria kërkon një hetim të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe të shpejtë”, thuhet në komunikatë.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë të ditur se, në kuadër të hetimeve, do të mbledhë informata dhe dokumentacion nga autoritetet kompetente, në përputhje me mandatin e tij kushtetues dhe ligjor.

Pas përfundimit të hetimeve, Avokati i Popullit ka njoftuar se do ta informojë opinionin publik dhe palët e interesuara për gjetjet dhe rekomandimet që do të dalin nga ky proces.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.