
Është lansuar Forumi i Biznesit Mbretëri e Bashkuar–Kosovë, një iniciativë që synon forcimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe investuese mes dy vendeve.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, e cila ka vlerësuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga partnerët më të afërt dhe më të besueshëm të Kosovës.
Sipas Kusarit, partneriteti ekonomik mes dy vendeve ka potencial të madh për zgjerim, i mbështetur edhe nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e vitit 2021.
Postimi i plotë:
Kënaqësi të marrë pjesë sot në lansimin e Forumit të Biznesit Mbretëri e Bashkuar–Kosovë, një iniciativë e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe investuese.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet një nga partnerët tanë më të afërt dhe më të besueshëm. Ky partneritet ofron një potencial akoma më të madh, i mbështetur edhe nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e vitit 2021. Si Ministri e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, mbetemi të përkushtuar për të krijuar një mjedis konkurrues, për të promovuar investimet, për të nxitur inovacionin dhe për të mbështetur ndërmarrjet tona në tregjet botërore.
Kosova ofron baza jashtëzakonisht të forta për investitorët e huaj. Me një nga popullsitë më të reja në Evropë, një fuqi punëtore dinamike dhe me shkathtësi në teknologji, vendi ynë po shndërrohet në një qendër të rëndësishme për sektorin e TIK-ut, prodhimin, energjinë e ripërtëritshme, agrobiznesin dhe industritë kreative.
Besimi i bizneseve britanike ndaj mjedisit tonë afarist po rritet dita-ditës, gjë që dëshmohet nga operimi i 246 kompanive aktive.
Gjatë vitit 2025, eksportet e mallrave drejt Mbretërisë së Bashkuar shënuan një rritje mbresëlënëse prej 81%, trend ky që po vazhdon me rritje edhe në pjesën e parë të vitit 2026. Njëkohësisht, tregtia e shërbimeve po tregon rezultate të shkëlqyera ku Kosova vazhdon të ruajë një suficit tregtar, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 24 milionë euro në vitin 2025 dhe po shfaqin ecuri të lartë edhe këtë vit.
Ky forum do të jetë platforma e duhur ku kompanitë dhe investitorët mund të eksplorojnë fusha të reja, të shkëmbejnë ekspertizë dhe të diskutojnë për sfidat e përbashkëta. Synojmë të sjellim rezultate të prekshme: më shumë investime, rritje të eksporteve, më shumë vende pune dhe integrim më të thellë të ndërmarrjeve të Kosovës në zinxhirët ndërkombëtarë të vlerës, duke krijuar një bazë të shkëlqyer për Forumin e madh të Biznesit që do të mbahet në muajin tetor.
Shpreha mirënjohjen time për Këshillin e Investitorëve Evropianë, Drejtorin Ekzekutiv Emrush Ujkani për inicimin e kësaj platforme, si dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe Ambasadorin Jonathan Hargreaves për mbështetjen e pakursyer.
Së bashku, mund të krijojmë mundësi të reja për investime, inovacion dhe rritje të qëndrueshme ekonomike në dobi të të dy vendeve tona.