Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Të akuzuarit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit nuk e pranojnë fajësinë

Gazeta10
09 July 2026 - 10:13

Tre të akuzuarit për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, të ndodhur më 29 nëntor 2024, janë deklaruar të pafajshëm gjatë paraqitjes së tyre në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të cilët ndodhen në paraburgim, si dhe Igor Dimoviq, i cili po mbrohet në liri, mohuan akuzat që rëndojnë mbi ta.

“Nuk ndihem fajtor”, deklaroi Jovan Viqentijeviq para trupit gjykues.

Edhe Dragisha Viqentijeviq mohoi përgjegjësinë penale, duke thënë: “Nuk ndihem fajtor për veprat që më bien në barrë.”

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Igor Dimoviq, i cili tha se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, më 29 nëntor 2024 rreth orës 18:50, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin-Potokut, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT në kanalin e Ibër-Lepencit.

Prokuroria pretendon se eksplozivi ishte vendosur brenda një çante të lidhur në një shtyllë betoni dhe ishte aktivizuar përmes një fitili me djegie të ngadalshme, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që dëmtoi rëndë infrastrukturën e kanalit.

Sipas aktakuzës, sulmi ndërpreu furnizimin me ujë të pijshëm për disa komuna në veri dhe qendër të Kosovës, pengoi furnizimin me ujë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe rrezikoi prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

Prokuroria vlerëson se veprimet e të akuzuarve kanë rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve, ndërsa dëmi material i shkaktuar ndaj ndërmarrjes Ibër-Lepenc llogaritet në 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

Ata akuzohen, në bashkëkryerje, për veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, në lidhje me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, sipas Kodit Penal të Kosovës.

Në pikën e dytë të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas Prokurorisë, gjatë bastisjeve të kryera nga Policia e Kosovës në shtëpitë e tyre në Zubin-Potok dhe në fshatin Prevllak, janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe municion në sasi të konsiderueshme.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.