
Kriza e furnizimit me ujë të pijshëm, e cila vazhdon të prekë shumë lagje e fshatra të Komunës së Prishtinës, ka shtyrë komunën të nisë hapat për gjetjen e burimeve të reja të ujit në zonën e Gollakut.
Për këtë qëllim është shpallur një tender me vlerë të parashikuar prej 200 mijë eurosh, që parasheh hartimin e një studimi të fizibilitetit për identifikimin e burimeve dhe mënyrave të furnizimit me ujë të pijshëm, shkruan Gazeta10.
Sipas dokumenteve të tenderit, objekti i kontratës është “Studimi i fizibilitetit për furnizimin me ujë përmes puseve dhe rezervuarëve në fshatrat e Gollakut”.

Studimi synon të analizojë mundësitë teknike për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm në këtë zonë, duke identifikuar burimet potenciale dhe zgjidhjet më të përshtatshme infrastrukturore.
Sipas specifikimeve teknike, studimi do të përfshijë fshatrat Keqekollë, Prapashticë, Mramor, Koliq, Dabishec, Hajkobillë, Rimanishtë, Grashticë dhe Zllash. Në fazën e parë të kontratës parashihet hartimi dhe dorëzimi i raportit përfundimtar të studimit të fizibilitetit, i cili do të shërbejë si bazë për projektet e ardhshme të investimeve në infrastrukturën e ujësjellësit.

Përmes këtij studimi, Komuna e Prishtinës synon të përcaktojë zgjidhjen më të përshtatshme për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatrat e Gollakut, një zonë që prej vitesh përballet me sfida në qasjen ndaj ujit të pijshëm. Rezultatet e studimit pritet të shërbejnë si bazë për investimet e ardhshme në ndërtimin e puseve, rezervuarëve dhe infrastrukturës tjetër të nevojshme për furnizim të qëndrueshëm me ujë. /GAZETA10/