
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka komentuar takimin ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se bëhet fjalë për konsultimet e para politike pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
Në emisionin Gazeta në Kanal10, Rrustemi tha se Lëvizja Vetëvendosje, ashtu siç kishte paralajmëruar, ka nisur takimet me partitë politike me synimin e krijimit të institucioneve të reja.
“Këto janë takimet e para pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Ashtu siç kemi thënë që nga momenti i certifikimit, do t’i fillojmë konsultimet me partitë politike në funksion të krijimit të institucioneve. Janë takimet e para dhe jemi optimistë. Megjithatë, optimizmi i njëanshëm është i pamjaftueshëm, duhet edhe konstruktiviteti i palës tjetër”, deklaroi Rrustemi.