Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj dy të akuzuarve për ndihmë në vrasjen e rëndë të vitit 2021

Gazeta10
12 July 2026 - 16:22

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Gjilan, me të cilin Erdonis Nuredini dhe Rabit Idrizi janë liruar nga akuza për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”.

Në këtë rast, dy të akuzuarit bashkë me Valdrin Halimin akuzoheshin për rastin e vrasjes së E.R., për shkak të borxhit prej 250 euro. Konkretisht, Halimi akuzohej për “Vrasje të rëndë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe për “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotope ose analoge”.

Ndërsa, Nuredini akuzohej për veprën “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotope ose analoge” dhe po ashtu së bashku me të akuzuarin Idrizi ngarkohej për kryerjen e veprës penale në bashkëkryerje “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje të rëndë”.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore – DKR në Gjilan, kurse, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Gjilan, PKR.23/25 i datës 18.08.2025, vërtetohet.

Ankesa e përfaqësuesit të autorizuar të palëve të dëmtuara A. R., H. R., A. S. dhe B. K., av. Skender Musa, hudhet si e palejuar”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 22 prill 2026.

Gjykata Themelore në Gjilan, në rigjykim, me aktgjykimin e 18 gushtit 2025, i ka liruar nga akuza të akuzuarit Erdonis Nuredini dhe Rabit Idrizi për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”.

Kundër këtij aktgjykimi, ankesë ka paraqitur Prokuroria Themelore në Gjilan, duke pretenduar në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkelje të Ligjit Penal.

Prokuroria ka kërkuar që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin dhe t’i shpallë të akuzuarit fajtorë ose ta anulojë atë dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.