Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“E marta e madhe” në Bruksel: Shqipëria avancon drejt BE-së, sot mbyll tre kapitujt e parë

Gazeta10
14 July 2026 - 8:13

Në Bruksel do të zhvillohet sot Konferenca IX Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian ku Shqipëria do të mbyllë 3 kapitujt e parë në kuadër të procesit të integrimit.

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama do të ulet sot në konferencën e nëntë ndërqeveritare me Brukselin për të mbyllur kapitujt 25, 26 dhe 30, konkretisht për shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe Kulturën si dhe Marrëdhëniet me Jashtë, fusha në të cilat Shqipëria konsiderohet plotësisht e njësuar me standardet e Bashkimit Evropian.

Referuar agjendës, konferenca e 9-të ndërqeveritare nis në orën 19.00 dhe më pas formalizohet mbyllja e kapitujve. Në orën 20:00, mbahet konferenca për shtyp lidhur me ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së.

“Një e martë super për zgjerimin na pret. Të martën do të kryesoj më shumë konferenca pranimi brenda një dite që nga viti 2002”, tha Ministri Irlandez për Çështjet Evropiane Thomas Byrne, vendi i të cilit mban presidencën e Këshillit të BE-së.

Mbyllja e 3 kapitujve vjen pasi Shqipëria kaloi një prej fazave më të rëndësishme, atë të piketave të ndërmjetme, të ashtuquajturin IBAR, mes shumë diskutimesh dhe polemikash për përmbushjen e diskutimeve.

Me mbylljen e 3 kapitujve të parë, Shqipëria do të duhet të përmbushë kushtet e mbylljes edhe për 30 kapitujt e mbetur, në mënyrë që të arrijë objektivin e dakordësuar me BE-në për përfundimin e procesit teknik brenda vitit 2027-të.

Më pas vendimi do të jetë plotësisht politik dhe rruga e Shqipërisë drejt BE-së, do të duhet të kalojë nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të Unionit.

Po ashtu, Mali i Zi, një vend në krye të procesit të pranimit, do të mbyllë dy kapituj të tjerë të martën: Kapitullin 8 të Konkurrencës dhe Kapitullin 29 të Bashkimit Doganor. Me dy kapitujt e rinj, Mali i Zi do të ketë 18 kapituj të mbyllur nga 33 që janë në negociata.

Edhe Serbia sipas dëshirës së Beogradit e rekomandimit të Komisionit Evropian, të martën planifikohej të çelte grup-kapitullin 3 të negociatave, por më shumë se tetë shtete i thanë një jo.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.