
Autoritetet tajlandeze kanë nisur hetime për të përcaktuar nëse neglizhenca ishte shkaku i zjarrit vdekjeprurës që shpërtheu të dielën vonë në një lokal nate në Bangkok.
Të mbijetuarit kanë deklaruar se disa nga dyert e lokalit ishin të mbyllura, ndërsa mungonin shenjat që tregonin daljet emergjente, duke e bërë të pamundur evakuimin e shpejtë të klientëve, shkruan BBC.
Sipas policisë, përdorimi i materialeve shumë të ndezshme për dekorimin e ambientit mund të ketë ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve. Zjarri dyshohet se ka nisur pranë skenës së lokalit.
Drejtori i Policisë, Gjenerali Kittiratt Phanphet, deklaroi se rrethanat e deritanishme “tregojnë mungesë kujdesi dhe shpërfillje të sigurisë së klientëve”.
Bilanci tragjik ka arritur në të paktën 30 viktima, ndërsa dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ekipet e emergjencës gjetën shumë prej viktimave në tualetet në fund të lokalit, ku ekspertët besojnë se ata u përpoqën të strehoheshin ose të gjenin një rrugëdalje, por mbetën të bllokuar nga flakët dhe tymi.