
Qendra e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), ka konfirmuar sot se dy cisterna kanë raportuar se janë goditur nga raketa derisa po kalonin Ngushticën e Hormuzit nëpërmjet rrugës jugore.
UKMTO i ka thënë CNN-it se dy anijet, të cilat raportuan të parat incidentet e ndara dje, ishin shumë afër njëra-tjetrës në kohën e sulmeve.
Agjencia detare nuk i emërtoi anijet dhe as nuk tha se kush i kishte në shënjestër. Por konfirmimi vjen pasi Emiratet e Bashkuara Arabe thanë gjatë natës se dy cisterna u goditën nga raketa iraniane në pjesën jugore të ngushticës.
Ndërkohë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit tha se “goditi” ato që i quajti dy “supercisterna mashtruese” në rrugën ujore.
Teherani thotë se anijet duhet të përdorin rrugët e tij të përcaktuara veriore për të kaluar nëpër ngushticë, por një numër në rritje anijesh kanë filluar ta kalojnë atë më afër vijës bregdetare të Omanit, duke kërcënuar ndikimin e Iranit mbi rrugën ujore.