
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se sulmet ajrore kundër Iranit do të vazhdojnë derisa ai të vendosë se “është mjaft”.
Teherani dhe Uashingtoni i intensifikuan armiqësitë në përpjekje për të marrë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit – zhvillim që Kombet e Bashkuara e përshkruan si një “goditje të madhe” për civilët në rajon.
Në një intervistë për Fox News më 14 korrik, Trump tha se negociatorët amerikanë zhvilluan bisedime me Teheranin gjatë ditës, duke u bërë sërish thirrje zyrtarëve iranianë që të pranojnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
I pyetur se sa gjatë do të vazhdojnë sulmet amerikane, Trump u përgjigj:
“Ato do të vazhdojnë derisa unë të them se mjafton”.
Ai paralajmëroi, gjithashtu, se ushtria amerikane do të zgjerojë listën e objektivave, nëse Teherani nuk pranon të negociojë.
“Javën e ardhshme, situata bëhet shumë e keqe për ta, sepse atëherë vijnë në shënjestër termocentralet. Javën e ardhshme vijnë urat”, tha Trump.
“Do t’ua shkatërrojmë të gjitha termocentralet. Do t’ua shkatërrojmë të gjitha urat, nëse nuk ulen në tryezë dhe nuk negociojnë”, shtoi ai.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) njoftoi, ndërkohë, se ka kryer një valë tjetër sulmesh ndaj Iranit, duke goditur dhjetëra objektiva ushtarake pranë Ngushticës së Hormuzit dhe në zonat bregdetare iraniane.
“Avionë luftarakë amerikanë, dronë dhe anije të Marinës amerikane lëshuan municione precize ndaj pozicioneve iraniane të raketave dhe dronëve, kapaciteteve detare dhe sistemeve të mbrojtjes bregdetare gjatë operacionit shtatëorësh”, thuhet në njoftim.
Sipas CENTCOM-it, qëllimi i sulmeve ishte dobësimi i mëtejshëm i aftësisë së Iranit për të kërcënuar anijet tregtare dhe ekuipazhet civile që lundrojnë në rajon.
Irani, në anën tjetër, lëshoi raketa ndaj vendeve fqinje në Gjirin Persik, përfshirë Jordaninë, Bahrejnin dhe Kuvajtin.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite dënoi ashpër sulmet e Iranit ndaj disa vendeve arabe, duke e bërë Teheranin përgjegjës për pasojat e vazhdimit të këtyre sulmeve, të cilat i cilësoi si mizore.
Luftimet u përqendruan rreth Ngushticës së Hormuzit – një rrugë e rëndësishme globale për transportin e energjisë dhe mallrave.
Në fillim të javës, Trump kërcënoi se do të vendoste një tarifë prej 20 për qind për mallrat që transportohen përmes Ngushticës së Hormuzit nën mbrojtjen e ushtrisë amerikane, por, më vonë, ai propozoi që kjo tarifë të zëvendësohej me marrëveshje tregtare dhe të investimeve me shtetet e Gjirit Persik, ndërsa bllokada ndaj anijeve iraniane do të vazhdonte.
“Pas bisedimeve shumë produktive me udhëheqësit e Lindjes së Mesme, kam vendosur që tarifën prej 20 për qind për rimbursimin e Shteteve të Bashkuara ta zëvendësoj me marrëveshje tregtare dhe investimesh, që shtetet e ndryshme të Gjirit do t’i bënin me Shtetet e Bashkuara”, shkroi Trump në Truth Social.
Ai nuk dha hollësi për zotimet e qeverive të Gjirit, por tha se investimet do të ishin “MASIVE”.
CENTCOM njoftoi se nga ora 16:00 – sipas kohës lindore amerikane më 14 korrik – është rivendosur bllokada detare për anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.
“Nën komandën e CENTCOM-it do të zbatohet bllokada ndaj të gjitha anijeve që lundrojnë drejt ose nga portet dhe zonat bregdetare të Iranit. Ushtria amerikane do të vazhdojë të mbështesë lirinë e lundrimit për të gjitha anijet që nuk e shkelin këtë bllokadë”, thuhet në njoftimin e CENTCOM-it.
Sulmet i dhanë edhe një goditje marrëveshjes së arritur muajin e kaluar, e cila parashihte kushtet për negociimin e një marrëveshjeje të paqes mes dy vendeve.
Gjatë fundjavës, Trump e njoftoi Kongresin se Shtetet e Bashkuara janë sërish në luftë me Iranin.
Për një periudhë 60-ditore, ai mund të urdhërojë operacione ushtarake pa miratimin formal të ligjvënësve.
Po më 14 korrik, Departamenti amerikan i Thesarit shpalli një paketë të re sanksionesh për të rritur presionin ndaj rrjetit që, sipas tij, ndihmon Iranin t’u shmanget sanksioneve.
Në qendër të masave është Mohammad Hossein Shamkhani, të cilin Uashingtoni e cilëson si një figurë kyç pas eksporteve iraniane të naftës dhe zgjerimit të aktivitetit në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe tregtinë globale të lëndëve të para.
“Regjimi iranian mbijeton përmes mashtrimit dhe rrjeti i Shamkhanit është një nga mekanizmat e tij më fitimprurës”, tha sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, në njoftimin për sanksionet.
“Departamenti i Thesarit po godet infrastrukturën financiare që i mundëson regjimit të vazhdojë kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ndaj transportit detar ndërkombëtar”, shtoi ai.
Në total, masat përfshijnë më shumë se 50 individë, kompani dhe anije, të cilat, sipas Uashingtonit, i mundësojnë Shamkhanit dhe regjimit iranian të vazhdojnë të përfitojnë financiarisht, ndërsa populli iranian vazhdon të përballet me vështirësi ekonomike.
Departamenti i Thesarit tha se këto masa janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur presionin ekonomik ndaj Iranit, pasi Teherani rifilloi, sipas SHBA-së, sulmet destabilizuese në Ngushticën e Hormuzit.
Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha në një deklaratë të lëshuar vonë më 14 korrik se rikthimi i përplasjeve në rajon, paraqet “rreziqe serioze” për civilët.
“Rikthimi i luftimeve në shkallë të gjerë në Lindjen e Mesme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është një goditje e madhe për civilët në rajon dhe më gjerë. Një gjë e tillë minon përpjekjet për paqe dhe thellon paqëndrueshmërinë, duke krijuar rreziqe të mëdha për të drejtat e njeriut në të gjithë rajonin”, tha Turk.
Irani, duke kërcënuar dhe sulmuar anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, e bllokoi pothuajse tërësisht qarkullimin detar në një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë.
Kjo i dha Teheranit një mjet të fortë presioni ndaj vendeve të Gjirit Persik dhe ekonomisë botërore, duke e kthyer Ngushticën e Hormuzit në një nga pikat kryesore të konfliktit.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se trafiku normal detar në Ngushticën e Hormuzit do të rikthehet vetëm nëse SHBA-ja i ndërpret operacionet ushtarake në këtë zonë. /REL