
Ish-ministri Januz Salihaj ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe, e cila u kritikua gjerësisht për komentet e saj lidhur me luftën në Kosovë. Në një intervistë për “Gazeta” në Kanal10, Salihaj tha se Kosova po kalon momente të vështira dhe se vendi ka nevojë për udhëheqës që, sipas tij, e kanë dëshmuar përkushtimin ndaj shtetit.
Duke folur edhe për proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ai u shpreh se pret që drejtësia të veprojë në mënyrë të paanshme.
“Ky vend është në momente shumë të këqija dhe ka nevojë për një garniturë që e ka dëshmuar se e do vendin dhe ka luftuar për të. Nëse kjo gjykatë ka një grimë drejtësi, do ta dëshmojë; në të kundërtën, do të mbahet mend si një nga gjykatat më të padrejta”, deklaroi Salihaj.
Ai reagoi edhe ndaj deklaratës së ministres serbe, të cilën e quajti me ironi “ministrja e hamamit”, duke thënë se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe fyese për viktimat e luftës.
“Sot ministrat e Beogradit po thonë se janë penduar që nuk kanë bërë edhe më shumë. Gjenocidi është kryer dhe këtë e dëshmojnë faktet historike. Askush nuk ka kryer më shumë krime se regjimi i Millosheviqit. Ndërsa kjo ‘ministrja e hamamit’ thotë se është dashur të shkatërrohej edhe më shumë”, u shpreh Salihaj. Reagimet ndaj deklaratës së ministres serbe kanë qenë të shumta edhe nga zyrtarë në Kosovë dhe Bashkimin Evropian, të cilët e kanë dënuar një retorikë të tillë./Gazeta10