
Ish-ministri Januz Sahlihaj, i ftuar në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, ka folur për zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës duke theksuar se partisë i nevojitet një proces i ri demokratik.
Sipas Sahlihait, tashmë është tejkaluar kuota e nevojshme për mbajtjen e një kuvendi të ri të partisë.
“Është tejkaluar kuota që duhet për me u ba një kuvend i ri dhe çdo proces demokratik më gëzon. Pse jo? Në fund të fundit neve s’na duhen liderë autokratë, na duhet lider që ka mbështetjen e partisë. Liderë autokratë kemi mjaft”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ky është momenti i duhur për zhvillime të tilla brenda LDK-së, Sahlihaj tha se koha nuk është e përshtatshme, pasi sipas tij kjo situatë e forcon pozitën e partisë në pushtet dhe e vështirëson arritjen e një koalicioni të mundshëm.
“Ky moment nuk është i përshtatshëm, sepse e bën më të fortë partinë në pozitë. Mandej, një koalicion i mundshëm bëhet më i vështirë për t’u arritur, sepse ka probleme të brendshme. Një numër jo i vogël i deputetëve nuk mendojnë si Abdixhiku dhe një pjesë e kryesisë”, deklaroi Sahlihaj.