Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ministrja serbe i kërkon falje Qeverisë së Serbisë pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”

Gazeta10
16 July 2026 - 12:25

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, pasi deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime brenda dhe jashtë vendit.

Paunoviq u arsyetua duke thënë se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se nga intervista ishte shkëputur vetëm një pjesë prej shtatë sekondash, duke u shndërruar, sipas saj, në një çështje politike. Megjithatë, në intervistën e transmetuar në “Kurir TV”, ajo dëgjohet qartë tek e thotë deklaratën për “spastrimin etnik të Kosovës”.

“Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Informer TV”.

Ajo falënderoi ata që e mbështetën pas kritikave, veçanërisht Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), pjesë e së cilës është. Por kritikoi edhe opozitën dhe mediat serbe për reagimet ndaj deklaratës së saj, duke i akuzuar se e shfrytëzuan rastin për qëllime politike.

Paunoviq e quajti paradoks edhe vendimin e Kosovës për ta shpallur “non grata”, duke thënë se ndalimi i përhershëm i hyrjes në Kosovë është vendosur nga, siç i quajti ajo, “institucionet e përkohshme të Kosovës”. Ajo shtoi se prej katër vjetësh nuk ka mundur të hyjë në Kosovë.

Në një deklaratë para pak ditësh në “Kurir TV”, Paunoviq deklaroi se po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Por ministrja serbe ka thënë e kishte fjalën për largimin e atyre që “nuk ndiheshin pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë”, ndërsa personat që do të zgjidhnin “veprime terroriste” do të trajtoheshin si terroristë.

Deklarata e saj u dënua nga organizata të shoqërisë civile dhe nga një pjesë e opozitës në Serbi, të cilat kërkuan shkarkimin e menjëhershëm të saj nga detyra.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.