
Të mërkurën gjatë ditës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Lumir Abdixhiku, bëri të ditur pezullimin e angazhimit të tij në procesin e konstituimit të institucioneve, duke e arsyetuar vendimin me zhvillimet e fundit brenda partisë.
Lidhur me këtë vendim ka folur komentatori politik Burim Korqa, i cili në emisionin “Gazeta” në Kanal 10 tha se, sipas tij, Abdixhiku po ndjek një taktikë politike .
“Mendoj që Abdixhiku është duke bërë taktikë politike në mënyrë që ta shtyjë sa më larg Kuvendin, të cilin e ka paralajmëruar dhe, siç dëgjova, e kanë lënë me datën 7, ditën e fundit për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mendoj se edhe kjo është taktikë politike. Mirëpo, që nga fillimi, Abdixhiku ka hyrë si kryetar i LDK-së për ta zhvilluar dhe ngritur më tutje LDK-në, e në këtë drejtim ka dështuar. Pastaj kanë qenë tri palë zgjedhje dhe në asnjërat prej tyre nuk ka pasur rritje, por dështim. Prandaj, të gjitha këto së bashku e kanë sjellë kryesinë e LDK-së në pikën që të kërkojë shkarkimin e tij për shkak të mosarritjes së objektivave dhe kjo është normale”, deklaroi Korqa. /gazeta10