
Kosova pritet të arrijë marrëveshje për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime, atë për njohjen e diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit i cili do të mbahet të enjten. Kështu së paku kanë thënë nga Qeveria e Kosovës, nga e cila janë shprehur se kanë arritur pajtim me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për arritjen e këtyre marrëveshjeve.
Raporti: Gentiana Gashi.
Qeveria e Kosovës po synon t’i arrijë tri marrëveshje në kuadër të samitit të radhës të Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal i cili do të mbahet të enjten.
Nga ekzekutivi kanë thënë se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për nënshkrimin e marrëveshjeve për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime, për njohjen e diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale.
Nga partitë opozitare janë shprehur se do të vazhdojnë të mbështesin procesin e Berlinit dhe se shpresojnë që Kosova të arrijë marrëveshje të cilat do të garantojnë lëvizjen e lirë.
Ndërkaq, nga shoqëria civile kanë thënë se Procesi i Berlinit është më shumë në favor të Kosovës sesa Ballkani i Hapur.
Procesi i Berlinit synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian./Gazeta10