Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Dëmet më të mëdha janë në sektorin e bujqësisë” – Zëdhënësi i Komunës së Pejës për vërshimet

Gazeta10
21 July 2026 - 19:08

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Valmir Deqani, ka deklaruar se vërshimet e fundit nuk kanë shkaktuar pasoja te qytetarët, ndërsa dëmet materiale në qytet janë minimale.

Në një lidhje direkte në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Deqani tha se gjatë ditës ka qenë në terren për të parë nga afër situatën pas reshjeve të dendura, duke theksuar se disa zona kanë qenë më të prekura, por gjendja është menaxhuar falë investimeve të bëra në sistemin e kanaleve kulluese.

“Kam qenë vetë në terren sot pas vërshimeve. Kam parë disa zona që kanë qenë pak më të prekura, mirëpo pas vërshimeve të fundit kemi bërë një punë shumë të madhe në hapjen dhe pastrimin e kanaleve që përcjellin ujërat atmosferikë. Janë hapur mbi 10 kilometra kanale të reja, me thellësi mbi 3 metra, të cilat po e lehtësojnë dukshëm menaxhimin e ujërave,” u shpreh Deqani.

Sipas tij, falë këtyre investimeve, në pjesën më të madhe të qytetit të Pejës nuk ka dëme materiale, përveç disa zonave ku janë evidentuar ndotje të shkaktuara nga vërshimet.

Ai bëri të ditur se dëmet më të mëdha janë regjistruar në sektorin e bujqësisë, ndërsa Komuna do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për vlerësimin e tyre.

“Dëme ka vetëm në sektorin e bujqësisë. Në ditët në vijim do të formojmë një komision që do të bëjë vlerësimin e dëmeve, në mënyrë që të dalim me informata të sakta për vlerën e dëmit të shkaktuar në këtë rajon,” deklaroi Deqani./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.