Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Bujku nga Kovraga: Breshëri na e shkatërroi 100% prodhimin, mbi 20 mijë euro investim humbën

Gazeta10
21 July 2026 - 18:58

Bujku Xhevdet Gjocaj nga fshati Kovrag e Istogut në një lidhje direkte në Kanal10, ka deklaruar se breshëri ka shkaktuar dëme të plota në kulturat bujqësore, duke lënë familjen e tij dhe shumë fermerë të tjerë pa të ardhura për këtë sezon.

“Është dëmtuar 100 për qind çdo gjë. Sivjet veç i kemi çuar duart për gjithçka. Jemi komplet të dëmtuar”, u shpreh ai, për emisionin “Gazeta” në Kanal10.

Sipas Gjocajt, investimi i bërë këtë vit ka kaluar vlerën prej 20 mijë eurosh, ndërsa ai tregon se kishte kultivuar rreth 2 hektarë vetëm shalqinj.

“Pjepër, bostan dhe spec i kam përmbi 4 hektar”.

Ai theksoi se pritjet për këtë sezon ishin shumë të mira, duke llogaritur një fitim prej 40 deri në 50 mijë euro, pasi rendimenti ishte premtues para se breshëri të shkatërronte prodhimin.

Gjocaj shtoi se rreth 99 për qind e banorëve të fshatit Kovrag merren me bujqësi, prandaj dëmet kanë prekur pothuajse të gjithë komunitetin.

Duke folur për vizitën e Ministrit të Bujqësisë, ai u shpreh se fermerët nuk morën ndonjë premtim konkret nga ministri Armend Muja për kompensimin ose mbështetjen pas dëmeve. /GAZETA10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.