
Stuhi e fortë ka shkaktuar dëme në shumë fshatra të Komunës së Suharekës, ndërsa ekipet komunale kanë nisur ndërhyrjet në zonat më të prekura.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se institucionet komunale janë të angazhuara për menaxhimin e situatës.
“Dëmtime të ndryshme kanë ndodhur në shumë fshatra të Komunës së Suharekës”, ka shkruar Muharremaj.

Ai ka theksuar se prioritet i institucioneve është ndërhyrja në rastet ku ekziston rreziku më i madh.
Muharremaj ka bërë thirrje për unitet dhe ka shprehur besimin se situata do të tejkalohet.
“Bashkë do ta tejkalojmë edhe këtë situatë”, ka përfunduar ai.

Nga fotografia e publikuar shihet se stuhia ka shkaktuar dëme të mëdha, ku një serë është shkëputur nga toka së bashku me konstruksionin e saj metalik dhe është përplasur në një shtëpi, duke dëmtuar objektin.
Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për persona të lënduar apo për vlerën e dëmeve materiale.