Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Pas dekretimit të dorëheqjeve të prokurorëve serbë, reagon Ambasada britanike

Gazeta10
23 July 2026 - 12:20

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në sistemin e drejtësisë në Kosovë, pas dekretimit të dorëheqjeve të shtatë prokurorëve serbë nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Në reagimin e saj, Ambasada britanike ka theksuar rëndësinë e integrimit të të gjitha komuniteteve në sistemin e drejtësisë dhe ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit, duke kërkuar që të ruhet besimi i qytetarëve në institucionet e sundimit të ligjit.

“Mbretëria e Bashkuar e mirëpriti Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila integroi strukturat e veriut të Kosovës në kornizën ligjore të Kosovës, duke garantuar njëkohësisht përfaqësim të konsiderueshëm të serbëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Ambasada rikujtoi se dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 i kishte konsideruar si një hap prapa, që sipas saj dëmtoi interesat e qytetarëve të Kosovës.

“Ne i konsideruam dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 si një hap prapa, duke dëmtuar interesat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet më tej.

Ambasada britanike ka bërë thirrje që komunitetet e ndryshme në Kosovë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, me qëllim forcimin e besimit publik në institucionet e sundimit të ligjit.

“Ne bëjmë thirrje për integrimin e popullsisë multietnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, për të mbështetur besimin e publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë”, përfundon reagimi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.