
Ish-kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Naim Hajra, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se kjo parti ka degraduar institucionet e vendit dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Në një intervistë në emisionin “Gazeta” , Hajra deklaroi se Vetëvendosje ndodhet në një pozitë politike që kërkon kompromis të brendshëm, pasi, sipas tij, për vite me radhë është ndërtuar një narrativë që lidhet me mënyrën e qeverisjes së saj.
“Në VV-në është një pozicion politik i cili e kërkon njëfarë kompromisi të brendshëm, sepse në fund të fundit ne e kemi kriju një narrativë opozitare që sa vite se Lëvizja Vetëvendosje është partia që i ka degradu institucionet, i ka degradu marrëdhëniet ndërkombëtare me aleatët tonë”, tha Hajra në Kanal10.
Sipas Hajrës, qeverisja e Vetëvendosjes ka ndikuar negativisht në funksionimin e institucioneve shtetërore, ndërsa ka dëmtuar edhe raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, kanë qenë mbështetës kyç të vendit në proceset shtetformuese dhe integruese. Ai vlerësoi se këto janë çështje që kërkojnë reflektim dhe qasje më bashkëpunuese në skenën politike.