Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Çmimi i naftës shënon rënien më të madhe që nga prilli pas ndaljes së luftimeve SHBA-Iran

Gazeta10
28 July 2026 - 10:32

Rënia e çmimeve globale të naftës u përshpejtua të hënën pas ndërprerjes së luftimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke shënuar rënien më të madhe që nga 8 prilli.

Nafta Brent, standardi global, e mbylli ditën me çmim prej 85.87 dollarësh për fuçi, me një rënie prej 11.3%. Nafta amerikane ra rreth 7%, në 82.61 dollarë për fuçi.

Presidenti Donald Trump tha se SHBA-ja i ndaloi sulmet ndaj Iranit me kërkesë të regjimit iranian dhe paralajmëroi se sulmet do të rifillonin nëse nuk arrihej një marrëveshje e re armëpushimi.

Trafiku i anijeve në Ngushticën e Hormuzit mbetet gjithashtu shumë nën nivelet e para luftës. Sipas të dhënave të transportit detar të monitoruara nga CNN, deri të hënën në mëngjes në këtë rrugë ujore kaluan më pak se 10 anije mallrash. Para luftës, rreth 100 anije tregtare kalonin nëpër ngushticë çdo ditë.

Tregtarët e naftës mbeten gjithashtu të shqetësuar për shkak të kërcënimit të sulmeve ndaj cisternave saudite nga rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, në Ngushticën Bab al-Mandeb, në hyrje të Detit të Kuq.

Në një analizë të publikuar të hënën, analistët e Deutsche Bank thanë se sulmet e Huthive rrisin “mundësinë e ndërprerjes së njëkohshme të rrugëve të eksportit si në Gjirin Persik ashtu edhe në Detin e Kuq”.

“Pra, kemi një pauzë të mirëpritur nga aktorët kryesorë, por ajo mbetet e brishtë, veçanërisht me përplasjet që vazhdojnë në fronte të tjera”, shkruan analistët.

Ndërkohë, indeksi Dow Jones u rrit me 0.51%, S&P 500 shënoi një rritje prej 0.02%, ndërsa Nasdaq, i dominuar nga kompanitë teknologjike, ra me 0.18%.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.