Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Italia ul përkohësisht taksat mbi naftën

Gazeta10
29 July 2026 - 9:03

Përmes një dekreti qeveria italiane ka ulur përkohësisht me 17 cent për litër taksat mbi naftën për të zbutur presionin nga rritja e çmimeve të karburanteve.

Masa do të mbetet në fuqi të paktën deri më 6 gusht. Ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, tha se qeveria do të mblidhet më 4 gusht për të diskutuar hapa të tjerë të mundshëm, duke shtuar se, nëse do të jetë e nevojshme, mund të ndërhyjë edhe për të kufizuar faturat e energjisë elektrike dhe të gazit.

“Ne do të vlerësojmë se si do të zhvillohet situata,” tha ai.

Edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e vlerësoi reagimin ndaj rritjes së çmimeve, të cilën, sikurse tha ajo “nuk e kemi shkaktuar ne, por që duhet ta përballojmë”.

Meloni tha se çmimet e naftës rëndojnë sidomos mbi sektorë si transporti dhe bujqësia, çka do të thotë se në fund koston e paguan çdo familje.

Meloni: Kjo masë nuk e zgjidh problemin

“Ne e dimë se kjo nuk e zgjidh problemin,” tha Meloni. “Por është një përgjigje në kohë dhe e përgjegjshme, duke marrë parasysh burimet e kufizuara që kemi dhe një situatë ndërkombëtare që po evoluon vazhdimisht.”

Edhe Gjermania miratoi në fillim të vitit përmes një votimi në parlament një ulje të përkohshme të taksave mbi naftën dhe produktet e naftës, përfshirë benzinën. Por kjo masë skadoi në fund të qershorit, pak përpara se të përshkallëzoheshin sërish armiqësitë mes SHBA dhe Iranit, dhe gjatë këtij muaji çmimet janë rritur ndjeshëm edhe një herë. /DW

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.