Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

LDK reagon pas pretendimeve se delegatëve po u premtohen punësime në këmbim të votës në Kuvendin e së enjtes

Gazeta10
29 July 2026 - 10:48

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas disa pretendimeve në opinionin publik se një zyrtar i Komunës së Prishtinës ka kërcënuar një delegat të LDK-së me vendin e punës së një familjari të tij nëse voton pro kryetarit aktual në Kuvendin e jashtëzakonshëm të së enjtes.

LDK tha se e dënon “ashpër çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit ndaj delegatëve të Kuvendit të LDK-së”.

Kjo parti tha se organet kompetente të LDK-së do të iniciojnë menjëherë dhe pa asnjë vonesë, procedurat statutare dhe disiplinore ndaj këtyre anëtarëve të LDK që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite.

Po ashtu, LDK kërkoi nga organet e drejtësisë që të “ndërmarrin veprimet e nevojshme”.

Postimi i plotë:

Reagim i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit ndaj delegatëve të Kuvendit të LDK-së.

Pamjet e publikuara në opinion, në të cilat pretendohet ushtrim i presionit nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës mbi një delegat të LDK përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij, paraqesin një sjellje të papranueshme të këtyre zyrtarëve publikë e në kundërshtim të plotë me vlerat, parimet dhe Statutin e LDK-së e në kundërshtim me ligjin.

LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes. Askush e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh.

Prandaj, organet kompetente të LDK-së do të iniciojnë menjëherë dhe pa asnjë vonesë, procedurat statutare dhe disiplinore ndaj këtyre anëtarëve të LDK që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite.

Njëkohësisht, ftojmë organet e drejtësisë, në veçanti Prokurorinë, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore mbi elementet e veprave penale.

LDK nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve tona demokratike dhe dinjitetin e njerëzve tanë.

Demokracia nuk mbrohet me presion. Ajo mbrohet me votë të lirë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.