
Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu ka reaguar pasi në Kalludër të Zubin Potokut dyshohet për varrezë masive.
Ajo, përmes një postimi në profilin e sa në rrjetin social Facebook, ka shkruar se ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
“Vlerësoj angazhimin dhe punën profesionale të ekipeve të Policisë së Kosovës, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë e të sigurisë, të cilat po e trajtojnë këtë rast me përkushtim dhe përgjegjësi”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Kam mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së varrit masiv në fshatin Kalludër, në Zubin Potok. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
Vlerësoj angazhimin dhe punën profesionale të ekipeve të Policisë së Kosovës, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë e të sigurisë, të cilat po e trajtojnë këtë rast me përkushtim dhe përgjegjësi.
Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjeko-ligjore, e deri te identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t’iu përgjigjur të drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.