
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se edhe 27 vjet pas çlirimit të Kosovës, çështja e personave të pagjetur vazhdon të mbetet një nga plagët më të mëdha të shoqërisë.
Në një prononcim për media, nga në një lokacion në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut, Gërvalla tha se mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur, ndërsa mijëra familjarë presin ende për një përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.
“Edhe 27 vjet pas çlirimit të vendit tonë, kemi ende mbi 1,500 trupa të pagjetur. Kemi më shumë se 1,500 familje të cilat çdo ditë rrinë me kokën nga dera, në pritje që dikush t’jua sjellë lajmin që të paktën janë gjetur familjarët e tyre”, tha Gervalla.
Ajo theksoi se procesi i kërkimit dhe identifikimit po zhvillohet nga njësitë profesionale të përfshira dhe se rezultatet priten të jenë të sakta dhe konkrete.
“Këtu gjithçka është duke u bërë profesionalisht. Të gjitha njësitë e përfshira në punë janë duke bërë punën e tyre dhe shpresojmë që të së shpejti të kemi rezultate sa më të sakta edhe sa më konkrete, me qëllim që të mund të paktën familjarët e tyre që gjenden këtu t’i informojmë që mund t’i varrosin më në fund”, tha ajo.
Ministrja Gërvalla kërkoi që procesi të lihet në duart e profesionistëve dhe të shmangen spekulimet para përfundimit të punës së ekspertëve.
“Mirëpo nuk është koha për spekulime, nuk është koha për fjalë të mëdha dhe zhurmë të madhe. T’i lëmë profesionistët ta bëjnë punën e tyre edhe pas kësaj të shohim se kush ndodhet poshtë edhe a ka më shumë a më pak, apo si do të jetë”, tha Donika Gervalla, ministre e drejtësisë.