
Lufta e SHBA-së në Iran ka nevojë urgjente për një qasje të re.
Pavarësisht sulmeve të reja amerikane të mërkurën, pas paralajmërimit të Presidentit Donald Trump me fjalor të ashpër se Iranin e pret edhe një “goditje e rëndë”, ai ende nuk ka treguar se mund ta detyrojë Teheranin të rikthehet në bisedime përmes forcës ushtarake.
Por edhe diplomacia, të cilën ai e kishte përshëndetur si një rrugë drejt një paqeje historike në Lindjen e Mesme, dështoi kur një memorandum mirëkuptimi i formuluar në mënyrë të paqartë u rrëzua.
Dhe opsionet e tij për të ndryshuar situatën – duke rrezikuar jetën e qindra ushtarëve amerikanë në një luftë tokësore ose duke njohur kontrollin e Teheranit mbi Ngushticën e Hormuzit – janë aq të papranueshme, sa shprehja “nuk ka opsione të mira” është bërë një klishe.
“Jemi vërtet në një situatë shumë të vështirë”, tha Lyle Goldstein, drejtor për Angazhimin në Azi në institutin amerikan Defense Priorities.
Zgjidhja për ngushticën: Ashtu si në shumë situata konflikti, është e mundur të përfytyrohet një kornizë e mundshme që do të ndalte luftimet dhe do të hapte rrugën për bisedime mbi çështjet më themelore, si programi bërthamor i Iranit.
Në këtë rast, ajo mund të përfshinte një kompromis, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara do të shmangnin pranimin se kanë pësuar një humbje strategjike për shkak të kontrollit efektiv të Iranit mbi ngushticën, ndërsa Irani do të mund të pretendonte se ka ruajtur përfitimin e tij kryesor nga një luftë që goditi rëndë udhëheqjen dhe ushtrinë e tij.