Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

LDK drejt votëbesimit, Sadiku: Kuvendi mund të zgjasë deri në orët e vona

Gazeta10
30 July 2026 - 17:26

Gazetari Kushtrim Sadiku, i ftuar në studion e emisionit “Gazeta” në Kanal10, ka folur për procedurat dhe rrjedhën e pritshme të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës duke theksuar se partia është ndër më të hapurat sa i përket proceseve të brendshme demokratike.

Sipas Sadikut, punimet do të nisin me procesin e regjistrimit të delegatëve, pas së cilit do të bëhet hapja zyrtare e kuvendit dhe formimi i kryesisë së punës. Më pas do të konstituohet komisioni verifikues, i cili do të paraqesë kërkesën për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, të mbështetur nga mbi 150 nënshkrime të delegatëve.

Ai shpjegoi se në vijim të procedurës, kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të ketë mundësinë të paraqesë mbrojtjen e tij para delegatëve. Pas kësaj pritet të hapet debati, gjë që sipas Sadikut mund ta zgjasë procesin deri në orët e vona të mbrëmjes.

“Nëse zhvillohet debat, punimet mund të zgjasin deri rreth orës 22:00 ose 23:00. Në të kundërtën, procedura do të jetë më e shkurtër”, tha ai.

Në përfundim të debatit, delegatët do të votojnë në mënyrë të fshehtë, ndërsa pas numërimit të votave do të shpallet rezultati përfundimtar.

Sadiku theksoi se, në rast se Lumir Abdixhiku nuk e merr besimin e delegatëve, LDK-ja do të caktojë një ushtrues detyre të kryetarit, i cili do ta drejtojë partinë deri në mbajtjen e një kuvendi të ri zgjedhor. Nëse Abdixhiku merr votëbesimin, ai do të konfirmohet për një mandat tjetër në krye të LDK-së.

Më shumë detaje:

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.