Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Maroku: Lajmet e rreme nxitën migrimin drejt Ceutës

Gazeta10
03 August 2026 - 10:56

Qeveria e Marokut është shprehur për herë të parë lidhur me zhvillimet në Ceuta. Ishin informatat e rreme shkak për migrimin e papritur të dhjetëra mijëra njerëzve, sipas saj.

Qeveria marokene i konsideron dezinformatat në rrjetet sociale dhe aktivitetet e kontrabandistëve të njerëzve si shkakun kryesor që, gjatë ditëve të fundit, dhjetëra mijëra persona u përpoqën të kalonin nga Maroku në enklavën spanjolle të Afrikës Veriore, Ceuta. Gjithashtu, sipas Ministrisë së Brendshme të Marokut, vendimi i një gjykate spanjolle që ndalon kthimin e menjëhershëm të migrantëve të kapur në det është keqinterpretuar.

Sipas autoriteteve marokene, fluksi i migrantëve nuk ishte i organizuar, por ndodhi spontanisht. Kjo është deklarata e parë zyrtare e shtetit afrikano-verior lidhur me këto ngjarje. Po këto arsye kishte përmendur më herët edhe qeveria spanjolle. Në deklaratën marokene u ritheksua se vendi mbetet i përkushtuar në luftën kundër migracionit të paligjshëm. Njëkohësisht, Maroku kërkoi një ndarje më të drejtë të barrës dhe përgjegjësive.

Gjatë ditëve të fundit, mediat spanjolle kanë raportuar se qeveria marokene mund ta ketë nxitur qëllimisht ose të paktën ta ketë toleruar fluksin drejt Ceutës për të ushtruar presion ndaj Spanjës. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, disa migrantë kanë deklaruar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri se nuk u penguan nga autoritetet, por përkundrazi u inkurajuan të kalonin kufirin.

Maroku flet për 11 viktima

Autoritetet marokene vlerësojnë se rreth 40.000 migrantë u përpoqën të hynin në Ceuta. Spanja, ndërkaq, ka raportuar për më shumë se 50.000 persona. Edhe më të mëdha janë dallimet sa i përket numrit të viktimave. Sipas Marokut, 11 migrantë kanë humbur jetën, shumica prej tyre të mbytur. Autoritetet marokene bëjnë të ditur se raportimet për viktima në anën spanjolle të kufirit po verifikohen ende.

Policia spanjolle, nga ana tjetër, flet për mbi 70 të vdekur. Sipas saj, disa migrantë u mbytën, ndërsa të tjerë u shtypën nga turma teksa përpiqeshin të kalonin digën mbrojtëse dhe gardhin kufitar. Mbi 1.000 persona morën ndihmë mjekësore në Ceuta, sipas autoriteteve. Pothuajse të gjithë migrantët që arritën në enklavën spanjolle të enjten janë kthyer tashmë në Marok, sipas të dhënave zyrtare spanjolle. /DW

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.