Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Mos u viktimizo”, Sveçla-Ramës: Familjen lëre jashtë, përgjigju për akuzat

Gazeta10
03 August 2026 - 23:22

Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili pretendoi se është objekt i një fushate linçuese dhe se në shënjestër janë vënë edhe familjarët e tij.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se familja e Ramës nuk duhet të jetë pjesë e debatit politik, por theksoi se kjo nuk mund të përdoret për t’iu shmangur sqarimeve lidhur me pretendimet që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës publike.

“Përparim, familja jote nuk është dhe nuk duhet të jetë pjesë e debatit politik. Për këtë nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Por as familja nuk mund të përdoret si mburojë për t’iu shmangur pyetjeve që lidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e funksionit tënd publik”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka mohuar se ndonjë asamblist i LVV-së ka publikuar mesazhe që lidhen me familjarët e kryetarit të Prishtinës, duke kërkuar që debati të fokusohet te pretendimet e ngritura.

“Mos u viktimizo dhe mos e zhvendos debatin aty ku nuk është. Sqarohu për përmbajtjen e mesazheve të publikuara. Sqarohu për pretendimet për korrupsion. Sqarohu për legalizimet e pretenduara si të paligjshme dhe për rolin e bashkëpunëtorëve të tu në këto raste”, ka theksuar ai.

Rama: Kjo s’është më politikë, ku në shënjestër s’jam vetëm unë, por dhe bashkëshortja ime

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.