Kontaktoni

info@gazeta10.com

Opinion 10

Dua një ‘varr’ për mësuesin tim!

Gazeta10
04 August 2026 - 10:10
Shkruan: Astrit Veliqi

Kur e pashë lajmin se në një pyll të thellë të Zubin Potokut ishte zbuluar një varrezë masive, mendja m’u kthye menjëherë shumë vite pas. M’u kujtua se, pikërisht aty, në mesin e shumë të zhdukurve, mund të jetë edhe mësuesi im i dashur, Selim Mëziu.

Ai ishte zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Për fatin e tij, sikurse për fatin e shumë të tjerëve, nuk dihej asgjë.

Gjithçka kishte mbetur një enigmë e kohës; një heshtje e rëndë, e mbështjellë me ankth, pritje dhe dhimbje.

Për 27 vjet me radhë, familjarët kishin jetuar mes shpresës dhe dëshpërimit, duke pritur një lajm, një gjurmë, një shenjë që do t’i çonte te njerëzit e tyre.

Me kalimin e viteve, madje kishin filluar t’i humbnin edhe shpresat e fundit se trupat e tyre do të gjendeshin ndonjëherë.

Sepse policia dhe ushtria serbe kishin vepruar në mënyrën më çnjerëzore e monstruoze, duke tentuar të zhduknin jo vetëm trupat, por edhe çdo gjurmë të ekzistencës së tyre.

Ata njihen si “Grupi i Intelektualëve nga Mitrovica”.

Grupi përbëhej nga 27 persona, prej të cilëve 23 u zhdukën, ndërsa vetëm disa arritën të shpëtonin.

Në mesin e tyre ishte edhe doktori i njohur nga Mitrovica, Adem Ademi.

Një pjesë e madhe e këtij grupi ishin nga Skenderaj, përfshirë veprimtarin e kohës, Idriz Rrecaj. Ndërsa disa prej tyre i përkisnin familjes Mëziu nga Morina e Skenderajt.

E pikërisht nga kjo familje ishte edhe mësuesi im nga Shkolla Fillore “Drenica” në Polac — Selim Mëziu.

Por ai nuk ishte thjesht një mësues për ne, nxënësit e asaj kohe.

Ai ishte pedagog. Ishte edukator. Ishte një njeri i dashur, i afërt dhe i përkushtuar ndaj secilit prej nesh.

Na donte dhe na edukonte me një dashuri të veçantë. Na këshillonte për sjelljen, për edukatën dhe, mbi të gjitha, për të ardhmen tonë.

Në çdo fjalë të tij kishte kujdes; në çdo mësim kishte një porosi për jetën.

Sot, kur e kujtoj pas kaq shumë vitesh, më shfaqet para syve si dikur: i gjatë, i pashëm dhe me një qëndrim që e dallonte.

Por ajo që e bënte vërtet të veçantë nuk ishte vetëm pamja e tij. Ishte karakteri, qetësia dhe sjellja e një pedagogu të përgatitur, që dinte ta fitonte zemrën e çdo nxënësi.

Ai rrezatonte dashuri për të gjithë ne.

Në veçanti, kishte një shpirt të bardhë. Edhe sot e kësaj dite, e mbaj të gjallë në kujtesë buzëqeshjen e tij.

Ajo buzëqeshje e veçantë, pothuajse ikonike, e bënte atë njeri të dashur, mësues të këndshëm dhe shpirtërisht engjëllor.

Sharmi i tij reflektonte te ne. Na bënte të ndiheshim të lumtur, të afërt dhe më të dashur me njëri-tjetrin.

Vitet kaluan shpejt. Pastaj erdhi lufta. E përjetuam të gjithë tmerrin e saj.

Por kur mësuam për zhdukjen e mësuesit Selim, dhimbja ishte e rëndë për të gjithë gjeneratën tonë. Sikur të na ishte shkëputur papritur një pjesë e fëmijërisë.

E sot, teksa po i shkruaj këta rreshta për fatin tragjik të mësuesit tim, më duket sikur jam kthyer 27 vjet pas.

Sikur po flas përsëri me të.

Gjithçka më duket si një ëndërr që më kthen në klasën e shkollës. E shoh mësuesin Selim para tabelës, me shkumësin në dorë, duke shkruar.

Ne, shokë e shoqe, jemi ulur në banka dhe e ndjekim me dashuri çdo mësim, çdo fjalë dhe çdo lëvizje të tij.

Por kjo ëndërr më zgjon papritur.

Më nxjerr nga koha e fëmijërisë dhe më kthen në të tashmen — në një realitet ku ende po kërkohen mbetjet mortore të 23 njerëzve, shumica prej tyre intelektualë të kohës.

Dhe në mesin e tyre mund të jetë edhe mësuesi Selim.

Ai nuk ishte dhe nuk mbeti vetëm mësuesi që na mësoi ABC-në.

Ai mbeti përgjithmonë i skalitur në zemrat tona të fëmijërisë; një figurë ikonike e një pedagogu dhe edukatori që rrezatonte vetëm buzëqeshje, mirësi dhe dashuri.

Prandaj, sot, më shumë se gjithçka tjetër, ajo që kërkoj është vetëm një varr për mësuesin tim.

Një varr që për 27 vjet i ka munguar jo vetëm familjes dhe miqve të tij, por edhe neve, nxënësve të tij.

Një vend ku ne, si gjeneratë, në mungesë të përqafimit, të mund t’i çojmë një buqetë me lule.

Një vend ku të ndalemi, të heshtim dhe të kujtojmë njeriun që na mësoi shkronjat e para, por edhe vlerat që duhej të na shoqëronin gjatë gjithë jetës.

Kjo, besoj, është dëshira më e dhimbshme, por edhe më e fundit: që trupi i mësuesit tonë të gjendet dhe të identifikohet, bashkë me të gjithë të tjerët.

Që më në fund të kenë së paku një varr.

Një vend ku ne, të gjallët, t’i nderojmë dhe t’i kujtojmë me respektin dhe pietetin më të madh.

E sakrifica e mësuesit tim, bashkë me sakrificën e të gjithë të tjerëve, do të mbetet një nga uvertyrat më të lavdishme në historinë e lirisë që ne e ëndërruam për shekuj.

Një liri që e ëndërruan edhe ata.

Një liri që u bë realitet edhe mbi sakrificën e tyre.

Prandaj, sot, unë nuk kërkoj shumë.

Kërkoj vetëm një varr për mësuesin tim!

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Opinion 10
17 June 2026
Opinion 10
14 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.