
Shqipëria po jeton një nga momentet më të pazakonta të aktivizmit qytetar të viteve të fundit.
Protestat maratonike në Tiranë, të cilat tashmë kanë kaluar javë të tëra, nisën si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec dhe investimit të familjes Trump, por shumë shpejt e tejkaluan këtë kauzë.
Ato u shndërruan në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes, perceptimit për kapjen e shtetit dhe ndjenjës së humbjes së kontrollit të qytetarëve mbi pasuritë publike.
Simboli i flamingove nuk mbeti thjesht një element estetik i protestës.
Ai u kthye në metaforë të një natyre që kërkon të mbrohet, të një shoqërie që refuzon të heshtë por edhe të një qytetarie që kërkon të dëgjohet.
Flamingot nuk ishin vetëm zogj, por ato u bënë simbol i rezistencës.
Megjithatë, protesta shqiptare prodhoi edhe një fenomen tjetër.
Ajo tërhoqi aktivistë, qytetarë dhe grupe nga rajoni, përfshirë edhe nga Kosova.
Kjo dëshmoi se kauzat qytetare nuk njohin kufij.
Por në të njëjtën kohë e ngriti edhe një dilemë: a duhet që energjia e aktivizmit të eksportohet jashtë vendit, kur problemet në shtëpi janë po aq, në mos edhe më të mëdha?
Sepse nëse Shqipëria proteston për mënyrën e qeverisjes, Kosova sot po përballet me një krizë edhe më të thellë – krizën e funksionimit të vetë shtetit.
Nga zgjedhjet në zgjedhje, vendi po konsumon miliona euro dhe po shpenzon kapitalin më të rëndësishëm: besimin e qytetarëve.
Institucionet mbesin të bllokuara, ekonomia humbet ritmin, investitorët presin, ndërsa proceset integruese zvarriten.
Kjo nuk është më thjesht krizë politike; është krizë e besimit publik.
Por historia na ka treguar se shtetet nuk dobësohen vetëm nga kundërshtarët e jashtëm.
Ato dobësohen edhe kur elitat politike nuk arrijnë të ndërtojnë institucione funksionale por dhe kur kompromisi shihet si humbje, e jo si përgjegjësi shtetërore.
Në këtë kuptim, protestat në Shqipëri mund të lexohen edhe si një pasqyrë për Kosovën.
Jo për t’u kopjuar me formën dhe kauzën e saj, por për të kuptuar se demokracia nuk përfundon ditën e zgjedhjeve.
Kur institucionet nuk prodhojnë zgjidhje, shoqëria fillon t’i kërkojë ato në shesh.
E nëse deri në fund të verës, Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të konsoliduara, pa një marrëveshje politike dhe pa një vizion të qartë për daljen nga ngërçi, atëherë pakënaqësia qytetare nuk duhet të mbetet vetëm në rrjetet sociale.
Ajo mund të marrë formën e protestës së organizuar.
Ndoshta jo me simbolin e flamingove, por me një simbol që i përket historisë dhe identitetit të Kosovës – shqiponjës.
Por “Revolucioni i Shqiponjave” nuk duhet të jetë revolucion kundër shtetit.
Përkundrazi, ai duhet të jetë si një revoltë demokratike për ta shpëtuar shtetin nga paraliza politike, nga kultura e bllokadës dhe nga logjika se pushteti është më i rëndësishëm se interesi publik.
Në fund të fundit, qytetarët nuk kanë nevojë për një tjetër cikël zgjedhjesh.
Ata kanë nevojë për institucione që funksionojnë, për ekonomi që zhvillohet dhe për një klasë politike që kupton se kompromisi nuk është dobësi, por forma më e lartë e përgjegjësisë shtetërore.
Nëse flamingot u bënë simbol i mbrojtjes së natyrës dhe i rezistencës qytetare në Shqipëri, shqiponjat mund të bëhen simbol i zgjimit demokratik në Kosovë.
Por, jo për të rrëzuar demokracinë, por për ta rikthyer atë te qytetari.
/Autori është gazetar e opinionist/