Kontaktoni

info@gazeta10.com

Opinion 10

“Shteti Bektashi”, “Kutia e Pandorës” që rrezikon sovranitetin e shtetit shqiptar

Gazeta10
20 August 2026 - 15:29

Ideja për krijimin e një shteti sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë po ngjall debat të gjerë në opinionin shqiptar. Sociologu Fadil Maloku e konsideron këtë nismë një precedent që, sipas tij, mund të ketë pasoja për sovranitetin dhe rendin kushtetues të Shqipërisë.

Në një analizë të tij, Maloku i referohet planit për krijimin e një enklave sovrane të stilit të Vatikanit, me administratë, pasaporta dhe kufij të veçantë, të njohur si “Sovereign State of the Bektashi Order” – Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.

Maloku thekson se shqetësimi i tij nuk lidhet me bektashizmin si besim fetar, të cilin e cilëson si pjesë të rëndësishme të kulturës dhe historisë shqiptare, por me transformimin e një komuniteti fetar në një subjekt me sovranitet territorial.

Sipas tij, Shqipëria përcaktohet nga Kushtetuta si republikë parlamentare, shtet unitar dhe i pandashëm, ndërsa sovraniteti i takon popullit. Për këtë arsye, ai ngre pikëpyetje mbi pasojat që mund të sjellë krijimi i një entiteti fetar me karakter sovran brenda territorit shqiptar.

“Sa herë që ndonjë komunitet fetar tenton të uzurpojë territor dhe kompetenca sovrane, feja si entitet kalon nga kategoria identitare fetare në kategori politike”, shkruan Maloku.

Ai paralajmëron se krijimi i një shteti të tillë mund të krijojë precedent edhe për komunitetet e tjera fetare, të cilat në të ardhmen mund të kërkojnë territore apo të drejta të ngjashme.

“Pse duhet ta pengojë një entitet tjetër të kërkojë një copë territori e sovraniteti mysliman, ortodoks apo katolik?”, shtron pyetjen sociologu.

Maloku e cilëson këtë si “kutinë e Pandorës”, duke argumentuar se një precedent i tillë mund të ndikojë në mënyrën se si organizohet shoqëria shqiptare, nga një model ku qytetarët praktikojnë besime të ndryshme drejt një modeli ku komunitetet fetare mund të kërkojnë territore dhe interesa politike të veçanta.

Ai është kritik edhe ndaj krahasimit me Vatikanin, duke thënë se analogjia mes Selisë së Shenjtë dhe një shteti të ri bektashi nuk është e qëndrueshme për shkak të historisë dhe rolit të ndryshëm të tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në fund, Maloku argumenton se çështja nuk duhet parë vetëm nga madhësia e territorit që do të zinte një enklavë e tillë, por nga pasojat që mund të ketë në arkitekturën e shtetit shqiptar dhe në ekuilibrat gjeostrategjikë të Ballkanit.

Sipas tij, zhvillimi i kësaj nisme kërkon një debat të gjerë kushtetues, politik dhe shoqëror, pasi pasojat e saj, nëse realizohet, mund të shkojnë përtej vetë territorit të propozuar.

Shkruan: Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Opinion 10
04 August 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.