Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vazhdojnë gërmimet në lokacionin ku dyshohet për varrezë masive në Kalludër të Vogël

Gazeta10
07 August 2026 - 12:34

Kanë kaluar më shumë se një javë që nga nisja e gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, në një lokacion ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me ekspertë të tjerë dhe institucionet kompetente, po vazhdojnë edhe sot punën në terren, duke kryer gërmime dhe ekzaminime në lokacionin e identifikuar mbi bazën e informacioneve hetimore.

Javën e kaluar, gjatë punimeve në këtë lokacion, u gjetën mbetje mortore, të cilat janë dërguar për ekzaminime dhe analiza të mëtejshme forenzike. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende identitetin e tyre, ndërsa procesi i identifikimit pritet të përcaktojë se kujt i përkasin.

Dyshimet janë se lokacioni mund të jetë i lidhur me rastin e 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Megjithatë, deri në përfundimin e analizave shkencore dhe identifikimit zyrtar të mbetjeve mortore, institucionet nuk kanë konfirmuar nëse ato u përkasin viktimave të këtij rasti.

Autoritetet kanë bërë të ditur se kërkimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe sigurimin e provave që mund të ndihmojnë në ndriçimin e një prej çështjeve më të ndjeshme të pasluftës në Kosovë./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.