Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Tensione, shtyrje e gjuhë të ashpër – krejt çka ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës

Gazeta10
12 August 2026 - 15:13

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës u mblodhën sot nga ora 11:00 në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës duke kërkuar nga partia më e madhe parlamentare dhe kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari të thirret vazhdimi i seancës për konstituimin e legjislativit.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës sot ka vazhduar pritjen e mërgimtarëve duke hapur dyert për sallën plenare për vizita nga ora 12:00 deri në 16:00.

Në pritje të mërgimtarëve, prezentë ishin edhe deputetë të LVV-së, mes tyre edhe U.D. presidentja Albulena Haxhiu.

Por, ishte pikërisht prezenca e kësaj të fundit që solli tensionet e para.

Derisa Haxhiu hyri në sallën plenare, aty ishin të pranishëm edhe disa prej deputetëve të PDK-së, si Blerta Deliu e Sala Jashari.

Ato patën fjalosje të ashpra mes vete, që në themel deputetët e PDK-së e kishin kërkesën: “Thirreni seancën”.

Jashari me Haxhiun e patën një përballje më të theksuar, ku U.D. presidentja i tha se LVV-ja e ka fuqinë, kurse ajo i tha se “fuqia kërkon përgjegjësi dhe punë”.

Pas këtij momenti, deputetët nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, Ardian Gola, Adnan Rrustemi dhe Vigan Qorrolli përsëritën kërkesat e tyre për takime për marrëveshje politike në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja parlamentare.

Derisa Nagavci po debatonte me deputeten Deliu, ishte deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi e cila e s shtyu Nagavcin duke i kërkuar të largohet nga salla. Por, gjithçka përfundoi me kaq.

Përplasje pati edhe mes Ardian Golës dhe Ganimete Musliut, të cilat eskaluan deri në ngritje zëri, akuza dhe hedhje të ujit në drejtim të ish-nënkryetarit të Kuvendit.

Në anën tjetër, Ganimete Musliu e quajti atë “kriminel” duke thënë se ai dhe deputetët e tjerë të kësaj partie e kanë shkelur Kushtetutën.

Përplasje pati edhe mes deputetes Musliu dhe një pjesëtari të sigurimit, kur deputetja e PDK-së hodhi ujë në drejtim të koleges së saj nga LVV, Nagavci.

“Hera e parë dhe e fundit që më prekë”, i tha Musliu, pjesëtarit të sigurimit.

Një moment tensioni ndodhi më pas edhe mes deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe atij të LVV-së, Adnan Rrustemi.

Lushtaku e shtyu Rrustemin, duke i kërkuar që të shkojë e ta thërrasë vazhdimin e seancës, derisa kolegët tjerë të partisë ndërhynë për t’i qetësuar.

Në fund, pjesë e debateve u bënë edhe mërgimtarët të cilët kishin mendime të ndryshme për situatat e krijuara në skenën politike.

Derisa një mërgimtar tha se “do të vijë në Kosovë sa herë të më kërkojë baba”, një qytetar tjetër protestoi duke mbajtur një pankartë në sallën plenare me mbishkrimin “Kurti n’burg”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.