Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

PDK kërkon vazhdimin e seancës konstituive më 16 gusht, Ismaili: Kosova nuk mund të mbetet peng i krizës

Gazeta10
15 August 2026 - 14:36

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka njoftuar se grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për vazhdimin e seancës më 16 gusht.

Në konferencën e thirrur për  media në Kuvend, Ismaili tha se moskonstituimi i Kuvendit po e mban Kosovën në krizë institucionale dhe akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e zvarrit procesin për interesa politike.

Sipas tij, mungesa e një Kuvendi funksional po ndikon edhe në fusha të rëndësishme për qytetarët, përfshirë shëndetësinë, energjinë dhe arsimin.

“Moskonstituimi i Kuvendit nuk është vetëm mohim i ushtrimit të rolit të deputetit, por edhe mohim i zërit të qytetarëve dhe kërkesave të tyre”, deklaroi Ismaili.

Ai përmendi gjithashtu mungesën e barnave në QKUK, problemet në sektorin e energjisë dhe ngecjet në arsim, duke i lidhur këto me krizën institucionale.

Ismaili tha se PDK-ja ka qenë për herë të tretë në sallën e Kuvendit për të kërkuar vazhdimin e seancës, ndërsa sipas tij, partitë e tjera nuk janë paraqitur.

“Ne kërkuam Kuvend funksional për të gjitha partitë politike. Ne kërkuam respektimin e Kushtetutës. Ata zgjodhën bllokadën”, tha ai.

PDK ka kërkuar që Avni Dehari ta thërrasë seancën konstituive më 16 gusht, me synim që të propozohet kryetari i Kuvendit dhe të përfundojë konstituimi i tij.

Në fund, Ismaili i bëri thirrje Kurtit që të marrë pjesë në proces dhe të kontribuojë në zhbllokimin e situatës institucionale.

“Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, u shpreh Ismaili.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.